SHBA tërheq të gjithë bombarduesit nga baza britanike RAF Fairford pas incidentit të dyshimtë

Botë | 1 orë më parë

Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr të gjithë bombarduesit e tyre nga baza ushtarake RAF Fairford në Britani, e cila është në qendër të një hetimi nga policia kundër terrorizmit pas një incidenti të dyshimtë.

Një zyrtar i Pentagonit konfirmoi të dielën se bombarduesit amerikanë, që besohet të kenë qenë rreth një duzinë avionësh B-1, janë larguar nga baza dhe janë kthyer në stacionet e tyre në SHBA. Uashingtoni nuk ka dhënë një arsye zyrtare për tërheqjen.

Vendimi vjen pak ditë pas incidentit të 27 shtatorit, kur policia u njoftua për tre automjete të dyshimta pranë bazës. Pesë persona, të gjithë shtetas britanikë nga Londra dhe të moshave 23 deri në 25 vjeç, u arrestuan fillimisht nën dyshimin për vepra që lidhen me eksplozivët dhe më pas për përgatitjen e një akti terrorist. Të pestë u lanë të lirë me kusht.

Një 25-vjeçar me shtetësi britanike dhe iraniane u arrestua më vonë në Londër, nën dyshimin për përgatitjen e akteve terroriste. Edhe ai u lirua me kusht.

Burime në Whitehall nuk e kanë kundërshtuar informacionin se vendimi amerikan për tërheqjen e bombarduesve lidhet me incidentin në bazën e Gloucestershire. Sipas BBC, bëhet fjalë për një vendim ushtarak dhe operacional, jo politik, i cili iu komunikua autoriteteve britanike nga ushtria amerikane. Ministria britanike e Mbrojtjes nuk ka komentuar.

Faqet që monitorojnë lëvizjet e avionëve konfirmuan se bombarduesit B-1 u larguan nga RAF Fairford të dielën.

Pas incidentit, kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi se kishte “indikacione të forta” për përfshirjen e Iranit, pa dhënë detaje të tjera. Teherani e ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje.

RAF Fairford është përdorur prej dekadash nga Forcat Ajrore të SHBA-së si bazë e avancuar operacionale. Në muajt e fundit, prej saj janë nisur bombardues B-1 dhe B-52 drejt Lindjes së Mesme, pasi Britania miratoi kërkesën amerikane për përdorimin e bazës në kuadër të goditjeve mbrojtëse ndaj Iranit.

Në korrik, Irani paralajmëroi se çdo bazë e përdorur për agresion ndaj territorit iranian do të konsiderohej objektiv legjitim për forcat e tij.

Disa ditë pas incidentit, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se ngjarja “qartësisht përfshinte dorën e një aktori të huaj”, por nuk dha detaje të mëtejshme. Presidenti Donald Trump ndërkohë deklaroi se ishte “i befasuar” që pesë të dyshuarit ishin liruar me kusht, duke theksuar se SHBA-ja dinte gjithçka për ta.

Bombarduesit B-1 të dislokuar në Britani ishin të pajisur me bomba precize të afta për të depërtuar në struktura të fortifikuara apo të nëndheshme, si dhe me raketa ajër-tokë për goditjen e objektivave të mbrojtura thellë në territorin iranian.

Pentagoni ka theksuar se avionët bombardues amerikanë mbeten të aftë të kryejnë misione “kudo dhe në çdo kohë”, përfshirë operacionet që nisen dhe përfundojnë nga bazat në territorin kontinental të SHBA-së.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme