Shërbimet e urgjencës në luftë kundër zjarreve në periferi të Athinës

Disa aeroplanë dhe helikopterë zjarrfikës u përfshinë dje në mbrëmje vonë për të shuar zjarret që iu afruan periferisë veriore të kryeqytetit grek.
“Qëllimi ynë kryesor është të shpëtojmë jetë njerëzish”, tha ministri grek i Mbrojtjes Civile, Michalis Chrysochoidis pas një takimi urgjent të qeverisë.
Zjarret po përhapen nga një shtëpi në tjetrën në periferi të Varybobit dhe Acharnes.
Televizioni shtetëror grek transmetoi pamje të shtëpive të djegura.
“Lini shtëpitë tuaja menjëherë”, u tha qytetarëve kryetari i bashkisë së Acharnes, Spyros Vrettos.
Banorët e rajonit gjithashtu morën një paralajmërim me mesazh me tekst nga Mbrojtja Civile.
Retë e dendura tymi ishin të dukshme nga e gjithë Athina.
Banorët e lagjeve të prekura lanë shtëpitë e tyre në panik e sipër.
“Pas nesh është një ferr”, u tha një banor nga makina e tij gazetarëve në vendngjarje.
Shteti ofroi dhoma hoteli për njerëzit që duhej të iknin për shkak të zjarrit.
Zjarret shpërthyen gjithashtu në ishullin Euboea, në Gadishullin e Peloponezit dhe në ishujt Kos dhe Rodos, të njohur si resorte turistike.
”Rreth 40 zjarre ka në të gjithë vendin”, tha një zëdhënës i Mbrojtjes Civile.
Nuk ka informacion në lidhje me viktimat.
Disa kuaj të hutuar mund të shiheshin duke vrapuar nëpër rrugët e Varybobit të martën pasdite, pasi pronarët e një klubi hipizmi, pasi kishin parë zjarrin që po afrohej me shpejtësi, i kishte lënë kafshët të lira për të shpëtuar jetën e tyre.
”Zjarret po përhapen me shpejtësi nga pyjet aty pranë në zonat e banuara”, njoftoi guvernatori i rajonit Giorgos Patoulis, duke u bërë thirrje të gjithë njerëzve që të largohen menjëherë nga zona.
Meteorologët prej ditësh paralajmëruan se zjarre të kësaj madhësie mund të shpërthejnë, pasi vendi mbetet nën mbërthimin e një vale të nxehtë që nuk pritet të tërhiqet gjatë gjithë javës, me temperatura mbi 40 gradë Celsius.
Autoritetet kanë paralajmëruar publikun se rreziku i zjarrit do të mbetet shumë i lartë edhe pas përfundimit të valës së nxehtësisë, kryesisht për shkak të thatësirës së vazhdueshme të vendit dhe parashikimit për erëra të forta./ATSH
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




