Shfaqet Bashar al-Assad pas një dekade izolim. Merr pjesë në Ligën Arabe

Botë | 4 vite më parë

Presidenti i Sirisë së shkatërruar nga lufta, Bashar al-Assad,  është shfaqur në Ligën Arabe pas më shumë se një dekadë izolimi.

Al-Assad ka marrë pjesë në samitin e 32-të të bllokut rajonal në qytetin port të Jeddah të Arabisë Saudite për herë të parë që nga pezullimi i vendit të tij pas shpërthimit të luftës në Siri në 2011.

Gjatë fjalimit ai tha se samiti ishte një “mundësi historike” për të adresuar krizat në të gjithë rajonin ndërsa qindra protestuan në Sirinë veriore të kontrolluar nga rebelët kundër pjesëmarrjes së tij në ngjarje.

“Shpresoj që të shënojë fillimin e një faze të re të veprimit arab për solidaritet mes nesh, për paqen në rajonin tonë, zhvillim dhe prosperitet në vend të luftës dhe shkatërrimit,” u tha al-Assad të pranishmëve.

Al-Assad u shpreh se Siria do t’i përkiste gjithmonë botës arabe, por bëri thirrje për mosndërhyrje në punët e brendshme të shteteve arabe.

“Është e rëndësishme që punët e brendshme t’i lihen njerëzve të vendit pasi ata janë më të aftë të menaxhojnë punët e tyre,” tha ai.

Në Azaz, në Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga opozita, demonstruesit protestuan kundër tij se “populli dëshiron rënien e regjimit” ku qindar vetë dolën në protestë.

“Siria nuk mund të përfaqësohet nga krimineli Assad”, shkruhej në një prej pankartave.

Protestat kundër Asadit u zhvilluan në zonat e kontrolluara nga rebelët, duke përfshirë qytetin verior të Afrinit, ku një turmë protestuesish mbajti një flamur të madh të opozitës, transmeton Al Jazeera. 

“Ne u bëjmë thirrje popujve arabë që të ushtrojnë presion mbi qeveritë e tyre që të kthehen në vendimin [për të ripranuar Sirinë] dhe që Bashar al-Assad të largohet”, tha Issam Khatib, një avokat me origjinë nga qyteti verior i Aleppos.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme