Shkodra zgjedh përfaqësuesin për Junior Eurovision 2026, rikthehet “Junior Fest” në RTSH

Muzikë | 5 muaj më parë

Sot në mbrëmje starton edicioni i 64-t i Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër, i cili do të mbahet në Teatrin “Migjeni” më 30 dhe 31 maj, ndërsa nata finale do të zhvillohet më 1 qershor dhe do të transmetohet në RTSH.

Pak orë përpara nisjes së edicionit të 64-t të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Teatrin “Migjeni”, organizatorët kanë ndarë detaje mbi tre netët e aktivitetit që rikthen edhe këtë vit atmosferën festive në qytet.

Organizatorët e festivalit u shprehën se ky edicion do të sjellë krijime të reja muzikore dhe interpretime live nga fëmijë të ardhur nga qytete të ndryshme të vendit.

Sipas tyre, 15 këngë në natën e parë dhe 16 në natën e dytë do të pasurojnë fondin e muzikës për fëmijë, ndërsa për të dytin vit radhazi nga ky festival do të përzgjidhet edhe përfaqësuesi i Shqipërisë në “Junior Eurovision Song Contest” 2026.

Ndërkohë, Radio Televizioni Shqiptar do të organizojë vitin e ardhshëm “Junior Fest”, festivalin muzikor kushtuar fëmijëve dhe talenteve të reja, i cili do të shërbejë edhe si skena për përzgjedhjen e përfaqësuesit të Shqipërisë në Junior Eurovision Song Contest 2027. RTSH njihet zyrtarisht nga European Broadcasting Union (EBU) si transmetuesi publik përgjegjës për përzgjedhjen e përfaqësuesit shqiptar në Junior Eurovision dhe, në këtë kuadër, do të organizojë edicionin e ardhshëm të “Junior Fest”.

Përmes këtij festivali, talentet e reja shqiptare do të kenë mundësinë të konkurrojnë për të përfaqësuar vendin në skenën evropiane të muzikës për fëmijë. Me rikthimin e “Junior Fest”, RTSH riafirmon angazhimin e tij për mbështetjen e muzikës, krijimtarisë dhe zhvillimin e brezit të ri të artistëve shqiptarë.

Festivali do të zhvillohet në Tiranë, ndërsa do të organizohen edhe ture promovuese në disa qytete të Shqipërisë.

Detajet mbi rregulloren, afatet e aplikimit dhe datat e zhvillimit të festivalit do të publikohen në vijim në platformat zyrtare të RTSH-së. RTSH, në bazë të marrëveshjes me Bashkinë e Shkodrës, për vitin 2026 do të dërgojë këngën fituese nga ky festival për edicionin e 2026 të Eurosong për Fëmijë.

Radio Televizioni Shqiptar ka dërguar që nga viti 2012, çdo vit këngët fituese të festivaleve të saj. Ndërsa Shkodra dërgoi përfaqësuesin e Shqipërisë në Junior Eurosong vitin e kaluar për herë të parë mbi bazën e një marrëveshjeje me RTSH.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme