Shpërthimi në Gjirokastër, makinës i ishte vënë tritol. Humb jetën drejtuesi i mjetit, plagoset pasagjeri

Aktualitet | 51 minuta më parë

Shpërthimi i automjetit tip “Benz”, mbrëmjen e së shtunës në Gjirokastër, është shkaktuar nga lëndë plasëse. Nga atentati ka humbur jetën në spital 45-vjeçari B.D., ndërsa ka mbetur i plagosur edhe pasagjeri E. M., 26 vjeç.

Si pasojë e plagëve të marra, drejtuesi 45-vjeçar, ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të së dielës, teksa transportohej me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Ndërkohë, pasagjeri E. M ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Identiteti i tij u konfirmua nga policia në informacionin shtesë për ngjarjen, pasi në njoftimin paraprak ishte identifikuar me inicialet R. M.

Fillimisht, autoritetet bënë me dije se automjeti kishte shpërthyer në lëvizje, ndërsa shkaku i ngjarjes nuk ishte përcaktuar zyrtarisht. Pas hetimeve, policia bëri të ditur se shpërthimi është shkaktuar nga një sasi lënde plasëse e vendosur në automjet.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shpërthimin e një automjeti tip “Benz” në lëvizje, që dyshohet se është shkaktuar nga lëndë plasëse, me pasojë dëmtimin e drejtuesit dhe pasagjerit, ju informojmë se drejtuesi i automjetit, shtetasi B. D., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës.

Pasagjeri, shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Gjirokastër, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në informacionin paraprak, ai ishte identifikuar me inicialet R. M.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme