Shqipëria e ka “përqafuar” teknologjinë, Manastirliu: Përdorimi i platformave të posaçme ka rritur eficiencën

Teknologji | 1 vit më parë

Teknologjia dhe informacioni po transformojnë çdo ditë jetën tonë.

Inteligjenca Artificiale po hyn me shpejtësi në sistemet arsimore, duke ofruar mundësi të reja për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, si dhe përpunimin e informacionit.

Pikërisht për këtë 150 ekspertë nga 43 vende të botës janë bërë bashkë sot në Tirane për të diskutuar mbi njohjen automatike të kualifikimeve.

Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, tha se Shqipëria po punon për të kaluar nga një proces tradicional i njohjes drejt njohjes automatike përmes ngritjes së platformave të dedikuara dhe efikase.

“Reformat ligjore të viteve të fundit kanë rritur transparencën dhe efektivitetin e procesit të njohjes së diplomave, duke vendosur kritere të qarta për institucionet e huaja të njohura, programet e studimit dhe llojet e diplomave që mund të njihen. Është rritur gjithashtu bashkëpunimi ndërinstitucional, veçanërisht me Zyrat e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të universiteteve,” u shpreh ministrja Manastirliu.

Gjithashtu vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale dhe rajonale, veçanërisht me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ndër arritjet konkrete dua të përmend ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për disa kategori kyçe, si infermierët, veterinerët, farmacistët dhe mamitë, në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), si dhe marrëveshjen me Kosovën për njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe certifikatave të arsimit të lartë,” tha znj. Manastirliu.

Në takim, pjesëmarrësit ndanë së bashku praktikat më të mira dhe diskutuan mbi përdorimin e teknologjive të reja në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit të lartë.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme