“Shqipëria, Maldivet e Europës”, artikulli i “Mirror” për vendin tonë: Ujërat e kristalta zbukurojnë rivierën
Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e medieve dhe turistëve ndërkombëtarë, të cilët e krahasojnë vendin tonë me “Maldivet e Evropës” falë bukurive natyrore dhe kostos së ulët të pushimeve. Nga bregdeti mahnitës deri te mikpritja tradicionale.
E bekuar me klimë mesdhetare dhe temperatura që në verë arrijnë deri në 30 gradë Celsius, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë nga e gjithë bota. Me brigje të pacënuara, rërë të bardhë dhe ujëra kristal, Shqipëria është një parajsë për adhuruesit e diellit, shkruan Milo Boyd në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”. Madje e krahason vendin tonë me “Maldivet e Evropës”.
Përveç peizazheve të mrekullueshme, Shqipëria ofron edhe çmime të përballueshme. Apartamente buzë detit mund të gjenden që nga 20 paund nata, ndërsa një vakt i bollshëm me pije kushton rreth 15 paund.
Ndër të tjera, në artikull theksohet se akomodimi luksoz është gjithashtu në arritje të shumë vizitorëve. Dhoma hoteli me katër yje dhe mëngjes të përfshirë kushton sa një hostel në shumë vende të tjera të Evropës. Shumë turistë zgjedhin të mbërrijnë edhe nga Korfuzi, duke kaluar me traget drejt jugut të Shqipërisë, për të eksploruar plazhe të tilla si Dhërmiu, ku çdo ditë mund të vizitosh një bregdet të ri. Një drekë buzë detit në këtë zonë kushton vetëm rreth 10 paund për person.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale, që tregojnë bukuritë natyrore dhe ujërat e kristalta, po e kthejnë Shqipërinë në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





