Shqiptarët protestojnë në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK

Kosovë | 1 vit më parë

Shqiptarët nga vende të ndryshme të botës, me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së u mblodhën sot (14 shtator) pranë godinës së Gjykatës Speciale në Hagë, në mbështetje të ish-liderëve të UÇK-së.

Me pankarta në duar, me këngë patriotike, veshje me motive ushtarake dhe thirrje për drejtësi, protestuesit përcollën mesazhe të shumta në Hagë.

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, tha se UÇK-ja nuk luftoi për pushtet, por për liri.

“Drejtësia duhet të jetë e njëjtë, ndërsa serbët që kanë kryer krime gëzojnë lirinë. Drejtësi për çlirimtarët, liri për të drejtën tonë historike”, tha ai.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Fatmir Koci, tha se ish-krerët e UÇK-së po gjykohen me akuza të pabaza.

“Nuk do të pranojmë asnjëherë këtë padrejtësi ndaj tyre”, theksoi ai.

Pjesë e kësaj proteste u bë edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Den Bosh, i cili tha se cilësimi i UÇK-së si organizatë terroriste është “një marrëzi”. Ai e cilësoi procesin ndaj tyre të padrejtë.

“Më kujtohet kur shkova dhe e takova zotin Thaçi, ai ishte pak i shqetësuar, por i thash që nuk ke pse të jesh i shqetësuar sepse nëse është një gjyq i drejtë ti do të jesh i lirë për shkak të mungesës së provave. Fatkeqësisht isha gabim, sepse gjyqi nuk ishte aq serioz sa unë kisha pritur sepse siç e mbani mend raportin e  Dik Martin i cili fliste për trafikim të organeve, edhe pse ai raport 2 herë kishte dalë se ishte i pambështetur dhe fals, sërish Këshilli i Europës e shtyu përpara  axhendën për krijimin e kësaj gjykate. Vetë gjyqtari kishte investuar dhe kishte dalë në përfundimin që nuk kishte trafikim të organeve dhe ishte një krijim i vetë serbëve. U krijua baza për të mbyllur gjykatën sepse arsyeja pse ishte krijuar  kjo gjykatë nuk qëndronte më. Por gjyqtarët këtu sigurisht janë të lumtur të kenë një jetë të mirë në Hagë, të marrin paga të mira dhe të vazhdojnë një proces shumë shumë të gjatë. Tashmë kanë dalë në përfundimin e se UÇK ishte organizatë kriminale dhe kjo është totalisht një marrëzi”, u shpreh ai.

Për gazetaren e RTSH-së, Jonida Omeri, e cila ndodhet në Hagë, protestuesit shprehen se UÇK-ja nuk ka bërë krime lufte, teksa kërkojnë lirimin e ish-liderëve të saj.

“E gjithë Shqipëria e Kosova jemi ngritur për mbrojtjen e UÇK. UÇK-ja nuk ka bërë krime lufte, ka luftuar për vendin e vet. Të ngrihemi në këmbë për këta çlirimtarë”, tha një protestues.

“Është shumë  e rëndësishme të lirohen sepse janë të pafajshëm dhe ata përfaqësojnë shtetin tonë, e kanë themeluar Kosovën. Jetoj në Gjermani dhe kam ardhur posaçërisht këtu. Edhe Kosova dhe Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët në mbar botën të kontribuojnë në çlirimi e tyre sepse janë të pafajshëm. UÇK-ja nuk ka qenë organizatë terroriste, kemi mbrojtur pragun e derës sonë”, u shpreh një tjetër.

“Uroj sa më shpejt të dalin të gjithë, ata janë të pafajshëm. Ne presim lirimin sa më të shpejtë të tyre, besoj shumë se do të ndodhë”, tha një tjetër protestues.

Kjo protestë, përmes së cilës kërkohet drejtësi, vjen vetëm një ditë para se Mbrojta të nisë me paraqitjen e provave dhe dëgjesat me dëshmitarin e parë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i akuzon katër ish-krerët e UÇK-së për krime të pretenduara lufte, duke i cilësuar si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Por mbrojtja i ka mohuar akuzat, duke theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme