Shqiptarët protestojnë në SHBA, kundërshtojnë vendimin për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së

Kosovë | 58 minuta më parë

“Liri për çlirimtarët”, me këto thirrje u protestua të martën para selisë së OKB-së në Nju Jork, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme.

Shoqata “Kosova” e mbështetur nga shoqata të tjera dhe shumë qytetarë shprehën mbështetje dhe solidaritet me krerët e UÇK-së, kundërshtuan vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe kërkuan drejtësi.

“Sot u dëgjua zëri i shqiptarëve. Kjo protestë është shprehje e zërit të mërgatës dhe e kujtesës për sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës. Zëri ynë nuk duhet të heshtë” – thuhet në reagimin e tyre.

Që nga 16 shtatori, kur Gjykata Speciale dha vendimin që dënoi me 81 vite burg total ish-krerëve të UCK-së, në Kosovë nuk janë ndalur protestat.

“Këto protesta janë vetëm fillimi. Jemi mbledhur për një kauzë. Jemi bashkë për UÇK-në”- thanë organizatorët e tubimit “Jo në emrin tim” në Prishtinë, ndërsa paralajmëruan zgjerimin e tyre në gjitha qytetet e vendit.

Më 1 tetor platforma “Liria ka emër” njoftoi për një tjetër marshim masiv në Prishtinë, ndërsa kërkoi nga institucionet e Kosovës koordinim edhe me Shqipërinë për hapat në vijim pas vendimit të Gjykatës Speciale.

Më herët janë mbajtur tubime të ngjashme edhe në Kanada, Zvicër, Gjermani e Austri. Një javë më parë, Gjykata Speciale shpalli fajtorë për krime lufte ish-krerët e UÇK-së.

Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burg. Vendimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë do të apelohet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme