Shuhet kreu i Kishës Ortodokse, politika greke nderon Kryepeshkopin Anastas

Greqi | 2 vite më parë

Politika greke nderoi Kryepeshkopin e Shqipërisë, Anastasin, i cili ndërroi jetë këtë të shtunë.

Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, në mesazhin e saj të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të klerikut, u shpreh se “po i jepet lamtumira një prej figurave të rëndësishme të Kishës Ortodokse“.

“Ishte një personalitet që la një vepër të rëndësishme baritore, edukative dhe bamirëse. Ai kundërshtoi intolerancën dhe fanatizmin fetar duke pritur mirëkuptimin reciprok, dialogun dhe bashkëjetesën paqësore të popujve,” u shpreh ajo.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis duke shprehur dhimbje për humbjen e Kryepeshkopit Anastas vlerësoi kontributin e tij për Ortodoksinë.

“Ishte pionier i Kishës në Shqipëri dhe një personalitet që u bë urë mirëkuptimi mes dy shteteve. Këto janë karakteristika që e bëjnë më të rëndë zinë tonë, por edhe më të çmuar të gjithë trashëgiminë e kryepeshkopit,” u shpreh Mitsotakis.

Mesazheve të ngushëllimit iu bashkuan ish-kryeministrat grekë dhe politikanët e të gjitha partive në vendin fqinj.

Edhe mediat botërore përcollën lajmin e ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas, mes tyre Agjencia Franceze e Lajmeve AFP, Reuters, Associated Press, Washington Post e të tjera shkruan se kreu i Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Anastasi, luajti një rol kyç në ringritjen e kishës pas rënies së regjimit në vendin tonë. 

Ndarja nga jeta e Kryepeshkopit Anastas Janullatos/ Parlamenti grek mban një minutë heshtje

Parlamenti grek mbajti një minutë heshtje në nder të Kryespeshkopit Anastas Janullatos pak para fillimit të votimit të raundit të parë për zgjedhjen e presidentit  të ri të vendit.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e jetës të tij.

Mitsotakis deklaroi se vepra dhe prania e kryepeshkopit Anastas do t’i mungojë mbarë njerëzimit pasi përmasat e veprës së tij ishin mbarëbotërore.

Ngushëllime shprehën e liderët e gjithë partive greke.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme