Siguria ushqimore, në Gjirokastër vijojnë kontrollet për qumështin e nënproduktet e tij 

Shëndet | 1 vit më parë

Drejtoria e Bujqësisë në Bashkinë e Gjirokastrës ka intensifikuar kontrollet në tregje dhe dyqane ushqimore, me qëllim shmangien e tregtimit të qumështit dhe produkteve të tjera në kushte jo të duhura.

Kontrollet fokusohen veçanërisht tek tregtarët ambulantë dhe në afishimin korrekt të çmimeve, sipas rregullave të vendosura.

Sektori i Veterinarisë raporton se situata ka qenë përgjithësisht e qëndrueshme dhe produktet e tregut të sigurta për konsumatorët.

“Vëmendja kryesore është përqendruar te tregtimi i qumështit në trotuare, sidomos te farmacitë, jashtë të gjitha kushteve dhe standardeve që duhet të plotësojë ky produkt, sepse dihet që qumështi është shumë delikat dhe kontaminohet shumë shpejt nga organizmat. Kemi dalë bashkë me Policinë Bashkiake për disa kontrolle të herëpashershme,” thotë veterinerja Adelina Haxhiaj.

Sipas të dhënave edhe dyqanet e mishit vizitohen nga inspektorët dy herë në muaj. Deri tani nuk janë konstatuar parregullsi të rënda. 

“Dyqanet e mishit janë një problem kryesor për ne. Nga kontrollet që kemi ushtruar në të gjitha njësitë e tregtimit të mishit, ai rezulton i vulosur nga veterinerët zyrtarë, është i shoqëruar me certifikatë veterinare dhe është një produkt shumë i garantuar në qoftë se blihet në dyqanet e mishit,” tregon znj. Haxhiaj.

Qëllimi i këtyre kontrolleve është garantimi i cilësisë së produkteve, respektimi i rregullave dhe mbrojtja e konsumatorëve në gjithë qytetin.

Gazetare: Enkeleda Domeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme