SIRIZA “rrezikon shpërbërjen” sipas tre zyrtarëve të lartë të partisë greke

Greqi | 3 vite më parë

Tre zyrtarë të lartë të partisë greke SIRIZA (o. SYRIZA) kanë kërkuar një mbledhje urgjente të grupit politik pasi partia opozitare është “në krizë shumë serioze”.

“Situata është më shumë sesa alarmuese. Partia po shpërbëhet,” thanë Efi Acioglou, Nasos Iliopulos dhe Aleksis Haricis në një deklaratë të përbashkët.

Të hënën mbrëma, kryetari i SIRIZËS, Stefanos Kaselakis, njoftoi përjashtimin e ish-ministrave Nikos Filis, Panos Skurletis dhe Dimitris Vicas duke i akuzuar si “sponsorë televizivë” të kryeministrit Kiriakos Micotakis.

“E kemi për detyrim ndaj qindra mijëra qytetarëve që na mbështesin për ta ndalur këtë spirale tatëpjete,” thanë tre politikanët.

Në zgjedhjet e fundit brenda partisë, Acioglou ishte favorit për të marrë kryesimin e partisë deri kur në garë hyri kryetari aktual, Kaselakis, i paangazhuar politikisht më parë, i cili e nxori atë të dytin me 44% të votave.

Edhe ish-ministri i SIRIZËS, Teodoros Dricas, ka këshilluar Kaselakisin të “lërë partinë, pasi është bërë një faktor në destabilizimin e mëtejshëm dhe përçarjen e saj”. /Kathimerini

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme