Skandali me financimin e fermave në Greqi, zëvendësohen ministrat që dhanë dorëheqjen

Qeveria greke ka zëvendësuar katër ministrat që të premten dhanë dorëheqjen si pasojë e skandalit për abuzimin me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë.
Thanos Plevris nga partia nacionaliste Laos mori postin e ministrit të Migracionit, që ishte lënë nga paraardhësi i tij deri pak orë më parë, Makis Voridis. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis po ashtu emëroi Haris Theocharis si zëvendësministër i Jashtëm; Yiannis Andrianos si zv.ministër për Zhvillimin Rural dhe Ushqimin; dhe Christos Dermentzopoulos si zv.ministër për Qeverisjen Digjitale.
Emërimi i ministrit Plevris u prit me kritika nga partitë opozitare. “E Majta e Re” e quajti emërimin e tij “një mesazh urrejtjeje, racizmi dhe autoritarizmi”, ndërsa veçoi edhe një koment të ministrit Plevris nga e kaluara, se “siguria kufitare nuk mund të ekzistojë kur nuk ka viktima dhe, për të qenë i qartë, kur nuk ka vdekje”.
“Linja e djathtë ekstreme e Mitsotakis vazhdon e palëkundur me zgjedhjen e Thanos Plevris, një linjë johumane, pa krye dhe e frikshme për sa i përket çështjes së refugjatëve dhe imazhit të vendit,” tha partia Syriza në deklaratën për shtyp. /Politico
Skandali me shpërdorimin e fondeve të BE-së
OPEKEPE është agjencia greke përgjegjëse për shpërndarjen e subvencioneve për bujqësinë, por kryeprokurorja e BE-së, Laura Kovesi, zbuloi se disa nga deklaratat e administruara ishin të falsifikuara dhe miliona euro kishin shkuar në ferma që nuk ekzistonin.
Disa fermerë që mbarështojnë bagëti në ishullin e Kretës janë akuzuar si pjesë e skemës së mashtrimit për periudhën 2019 dhe 2022. Sipas medieve greke, buxheti total për fermat organike gjatë asaj periudhe ishte 298 milionë euro, ndërsa aplikimet për subvencione në OPEKEPE arritën në 705 milionë euro.
Nga telefonatat e përgjuara u zbulua se për rastin në fjalë individët më sipër ishin koordinuar me ministra të qeverisë greke për të ndërhyrë që të “hiqnin qafe” prokuroren Popi Papandreou, e cila po hetonte çështjen.
Qeveria greke e ka shkrirë agjencinë përgjegjëse, duke ia lënë këtë veprimtari Autoritetit të Pavarur për të Ardhurat Publike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




