Skandali me subvencionet e BE-së, Mitsotakis propozon ndarjen e mandatit të ministrit nga ai i deputetit
Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, propozoi të hënën që politikanët që emërohen ministra të mos lejohen të jenë deputetë në Parlamentin e vendit pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2027.
Sipas propozimit të Mitsotakis, ministrat do të zëvendësohen në Parlament nga kandidati pasues në listën zgjedhore, një lëvizje që ai tha se do të rriste rolin e ligjvënësve.
Ky propozim erdhi pas dorëheqjes së tre ministrave të kabinetit të tij të premten, pasi emrat e tyre figuronin në dosjen e hetimit të Zyrës së Prokurorit Publik Europian, e cila ka kërkuar heqjen e imunitetit të 11 ligjvënësve të partisë në pushtet, Demokracia e Re, për t’i hetuar për rolin e mundshëm në skandalin e mashtrimit me fondet e subvencioneve europiane për bujqësinë.
Kjo çështje ka zemëruar publikun dhe ka shqetësuar fermerët në vend.
Në lidhje me hetimin, kryeministri grek u shpreh: “Një gjë është e sigurt – asnjë nga deputetët e Demokracisë së Re nuk akuzohet për përfitime financiare nga skema e mashtrimit me subvencionet. I kërkoj Zyrës së Prokurorit Publik Europian të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur me hapat e hetimit pas heqjes së imunitetit të deputetëve tanë dhe të vendosë se sa dhe cilët individë duhen proceduar. Po flasim për deputetët tanë që ndërkohë janë dëmtuar si nga ana personale, ashtu edhe ajo politike,” theksoi Mitsotakis.
Prokurorët europianë vunë vitin e shkuar dhjetëra persona nën akuzë për mashtrim me dokumente, përmes të cilave përfituan miliona euro nga subvencionet e BE-së për sektorin bujqësor grek.
Në qershor të vitit të shkuar, BE gjobiti me 392 milionë euro agjencinë greke që është përgjegjëse për shpërndarjen e këtyre subvencioneve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




