SPAK dhe Policia e Shtetit operacion kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave. Caktohen 20 masa arresti, mes tyre edhe biznesmenë

Një operacion i gjerë po zhvillohet këtë të premte (12 qershor) nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për ekzekutimin e masave të sigurisë ndaj disa personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Bëhet me dije se në total janë dhënë 20 masa arresti, 5 “arrest shtëpie” dhe 15 masa “arrest në burg”. Masa arresti janë dhënë edhe për disa biznesmenë, ndërsa emrat e bërë publikë deri më tani janë: Abedin Koçeku, Artur alias Luçiano Koçeku, Dritan Aga, Gëzim Islami, Edmond Jaupi, Orges Birçaj, Artur Shehu, Ilir Shtufi, Orgest Sota.
Gjithashtu në kuadër të këtij hetimi, mësohet se SPAK ka sekuestruar prona në vlerë 100 milionë euro.
Sipas informacioneve paraprake, personat nën hetim dyshohen për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave në vlera të konsiderueshme, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Detaje më të plota mbi numrin e personave të proceduar, masat e sigurisë të ekzekutuara dhe rezultatet e operacionit do të bëhen publike pas përfundimit të aksionit.
Operacioni konsiderohet pjesë e goditjeve të vazhdueshme të SPAK dhe Policisë së Shtetit ndaj krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe aktiviteteve të dyshuara të pastrimit të parave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




