Sulm i armatosur në Kumanovë-Plagoset Zekirija Shaini, funksionar i BDI-së, autorët në arrati

Një incident i rëndë me armë zjarri ka tronditur qytetin e Kumanovës sot pasdite, ku mjeku Zekirija Shaini, funksionar i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe pjesë e listës së koalicionit të Aleancës për komunën e Likovës, ka mbetur i plagosur.
Ngjarja, e konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokuroria Publike, ka ndodhur rreth orës 13:54 para ndërtesës së Komunës së Kumanovës, duke ngritur shqetësime për sigurinë e figurave politike në prag zgjedhjesh.
Sipas njoftimit zyrtar të Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) në Kumanovë, dy persona të panjohur, të maskuar, kanë hapur zjarr me armë automatike kallashnikov në drejtim të automjetit të Shainit, një mjet tip “Volkswagen” me targa maqedonase.
Si pasojë e sulmit, Shaini ka pësuar plagë në këmbë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ai u dërgua menjëherë në Spitalin e Qytetit për ndihmë të parë mjekësore, ku po trajtohet për plagë të lehta.
Policia ka gjetur në vendngjarje mbi 20 gëzhoja të dala nga arma e zjarrit kallashnikov, ku mësohet se automjeti i Shainit është dëmtuar rëndë.
Ndwëkaq, policia ka nisur operacionin për kapjen e autorëve tyre, ndërsa Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka dërguar dy prokurorë në vendngjarje për të mbledhur prova materiale, duke përfshirë gjurmë balistike dhe dëshmi të dëshmitarëve të mundshëm okularë.
“Lidhur me incidentin në Kumanovë, dy prokurorë publikë nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës kanë shkuar në vendngjarje dhe po ndërmarrin veprime hetimore. Indikacionet fillestare nuk tregojnë motive politike pas incidentit të armatosur, por po verifikohen të gjitha rrethanat”, thuhet në reagimin e prokurorisë.
Ky sulm vjen në një kontekst politik në Maqedoninë e Veriut, ku BDI-ja, si pjesë e koalicionit qeverisës, po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Shaini, 52-vjeç nga fshati Sllupçan i Komunës së Likovës, është figurë e njohur në radhët e BDI-së dhe ka qenë aktiv në fushatat për integrimin evropian dhe shëndetësinë publike.
Nga ana e saj, BDI-ja ka dënuar ashpër ngjarjen duke e cilësuar atë si akt barbar.
“Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati.
U bëjmë thirrje të gjithë mbështetësve tanë, simpatizantëve dhe qytetarëve në përgjithësi që të ruajnë qetësinë, të mos bien pre e provokimeve dhe të tregojnë maturinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë.
Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, partia jonë vendos të pezullojë aktivitetet e ditës sotme, ndërsa institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për rikthimin e besimit publik dhe sigurisë në terren”, shkruan BDI në reagimin e saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




