Të dyshuar për krime lufte në masakrën e Reçakut, Prokuroria Speciale arreston 5 ish-policë serbë

Kosovë | 3 muaj më parë

Pesë persona janë arrestuar në Kosovë në kuadër të hetimeve për krime lufte që lidhen me masakrën e Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda të konfliktit të viteve 1998-1999. Operacioni u zhvillua nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se të dyshuarit janë ish-pjesëtarë të forcave speciale të policisë serbe.

Sipas hetimeve, ata dyshohet se kanë marrë pjesë në operacionin e 15 janarit 1999 në Reçak, ku humbën jetën 42 civilë shqiptarë. Njëri prej të dyshuarve u arrestua në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, ndërsa katër të tjerët në zona të ndryshme të Kosovës.

Gjatë kontrolleve të kryera në disa adresa, u sekuestruan dokumente, uniforma dhe materiale të tjera që konsiderohen të rëndësishme për hetimin. Prokuroria njoftoi se një person i gjashtë i dyshuar nuk është gjetur ende dhe mbetet në kërkim.

Sipas prokurorit special Mir Morina, provat e reja të siguruara gjatë muajve të fundit, përfshirë videoregjistrime dhe materiale të ndryshme, kanë bërë të mundur identifikimin e të arrestuarve.

Ai theksoi se hetimet nuk synojnë vetëm ekzekutuesit, por edhe organizatorët dhe urdhërdhënësit e krimeve.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, deklaroi se krimet e luftës nuk do të mbeten pa u ndëshkuar, ndërsa Lista Serbe reagoi duke i cilësuar arrestimet si të pabazuara dhe të motivuara politikisht.

Rasti “Reçaku II” konsiderohet një nga proceset më të rëndësishme për zbardhjen e krimeve të luftës në Kosovë, ndërsa autoritetet thonë se hetimet do të vijojnë edhe më tej.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme