Temperatura të larta në fundjavë, i nxehti do të vijojë edhe gjatë javës së ardhshme
Ashtu si i gjithë muaji qershor, edhe ditët e fundit të tij do të vijojnë të jenë me diell dhe temperatura të larta.
Sinoptikanët sqarojnë se temperaturat e larta vijnë si pasojë e depërtimit në vendin tonë të masave të ngrohta dhe të thata.
“Orët me diell do të na shoqërojnë në pjesën më të madhe të territorit e vranësirat priten të jenë fare të pakta, kalimtare, kryesisht përgjatë relieve malore në verilindje dhe juglindje të vendit. Gjatë gjithë këtyre ditëve, era do të jenë kryesisht nga veriperëndimi me një shpejtësi mesatare 7–8 m/s,” thotë sinoptikania Besa Sherollari nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Në mes të javës së ardhshme, që përkon me fillimin e muajit korrik, pritet një rritje e temperaturave me 2 gradë Celsius.
“Presim një tërheqje të lehtë të këtyre masave ajrore të nxehta. Termometri ditën e diel nuk pritet t’i kalojë 36–37 gradët Celsius në zonat e ulëta dhe në bregdet, por duke filluar nga mesi i javës tjetër, fillimi i muajit korrik duket se do të na sjellë përsëri temperatura në rritje, kur termometri ditën e mërkurë pritet të shkojë në 37–38 gradë Celsius,” tregon znj. Sherollari.
Sinoptikanët parashikojnë temperatura të larta dhe ditë me diell edhe në fundin e javës së ardhshme.
Gazetare: Keti Toroveci
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




