Tensione në gadishullin korean – Seuli pezullon pjesë të një pakti me Penianin

Koreja e jugut ka pezulluar pjesë të marrëveshjes që pati arritur në 2018-ën me veriun e cila synonte uljen e tensioneve ushtarake mes tyre. Lëvizja vjen pasi Peniani pretendoi se kishte lëshuar një satelit spiunazhi në hapësirë.
Kryeministri koreano jugor Han Duck-soo tha se një lëshim I tillë kërcënonte sigurinë e Koresë së jugut. Seuli ndërkohë bëri të ditur se do të rifillonte fluturimet patrulluese përgjatë kufirit me Korenë e veriut, duke shkelur kështu pjesën e paktit ushtarak që parashikon një zonë ndalim-fluturimi në atë kufi.
Disa analistë thonë se këto zhvillime mund të përshkallëzojnë më tej tensionet. Në orët e vona të së martës, Peniani bëri të ditur se kishte arritur që me sukses të lëshonte një raketë që përmbante satelitin e spiunazhit Malligyong-1.
Këtë të mërkurë, ushtria koreano jugore konfirmoi se sateliti kishte hyrë në orbitë por vuri në dukje se ishte ende shumë herët të dilje në përfundimin se ai po funksiononte. Për satelitin reagoi edhe SHBA.
Zëdhënësja e këshillit të sigurisë kombëtare Adrienne Ëatson tha se lëvizja rrezikonte të destabilizonte situatën e sigurisë në rajon dhe përtej tij. Në teori, stateliti mund t’i japë Penianit mundësinë të vëzhgojë lëvizjen e trupave dhe armëve amerikane dhe atyre të Koresë së jugut në gadishullin Korean, si dhe të gjurmojë çdo kërcënim të mundshëm.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




