Thellohen përplasjet SHBA-Ukrainë/Trump: Është më e vështirë të punosh me Zelenskyn sesa me Putinin

Në një kohë që marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit janë tensionuar, presidenti i Ukrainës po përpiqet të mobilizojë aleatët evropianë kur në Bruksel mbahet samiti i BE-së. Zelensky u takua me kreun e NATO-s, Mark Rutte dhe zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe me liderët europianë.
“Të gjithë ne në Evropë duam që kjo luftë të përfundojë. Dhe që kjo të ndodhë, nevojiten sinjale të forta, më shumë presion real ndaj Rusisë dhe më shumë mbështetje mbrojtëse për Ukrainën”- u shpreh Zelensky, duke theksuar se tani është veçanërisht e rëndësishme që aleatët të veprojnë së bashku për të mbrojtur jetët e civilëve në Ukrainë.
Deklaratat, presidenti ukrainas i bëri pasi më herët njoftoi se Kievi nuk do të respektojë më kërkesat e Presidentit amerikan për të mos goditur rafineritë ruse të naftës, ndërsa marrëdhëniet mes tyre janë tensionuar që nga java e kaluar kur Trump njoftoi lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë në këmbim të hedhjes në tregjet globale të një sasie të madhe nafte nga Moska.
Zemërimi në Ukrainës është shtuar më tej nga ndërprerjet e sistemi kritik satelitor të siguruar nga SHBA, i cili ka penguar aftësinë e ushtrisë së saj për t’u përballur me sulmet e Rusisë. Trump rinisjen e sulmeve ndaj rafinerive të naftës ruse i cilësoi të turpshme, duke akuzuar Kievin se po ndikon në rritjen e çmimeve globale të energjisë.
“Është më e vështirë të punosh me Zelenskyn sesa me Putinin”- u shpreh Trump duke shtuar se presidenti ukrainas nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje. “Ai thotë se po, por në realitet nuk po e bën”.- deklaroi presidenti amerikan. Komentet e tij erdhën pas sulmit me dron të Ukrainës në një rafineri në rajonin Ryazan të Rusisë, sulmi i parë ndaj një strukture energjetike ruse që kur Trump njoftoi të dielën se Moska dhe Kievi kishin rënë dakord për një armëpushim energjetik.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



