Thirrjet antishqiptare në Kumanovë, nisin hetimet. Mickoski: Nuk i dëgjova, i dënoj! Komiteti i Helsinkit: Indiferenca normalizon gjuhën e urrejtjes

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur hetimet për identifikimin e personave që lëshuan thirrje antishqiptare gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë, e zhvilluar të shtunën (2 gusht) në Kumanovë.
Nga një pjesë e tribunës u dëgjuan mesazhe raciste si “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”. Prokuroria ka urdhëruar sigurimin e pamjeve të kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët e mundshëm.
“Prokuroria Kryesore Publike e Kumanovës po vazhdon dhe ka lëshuar disa urdhra dhe udhëzime për Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Kumanovës për të hetuar elementët e një vepre penale në thirrjet që përmbanin gjuhë urrejtjeje nga individë aktualisht të panjohur në ndeshjen e djeshme të basketbollit midis ekipeve kombëtare të Maqedonisë dhe Rumanisë. Është lëshuar gjithashtu një urdhër për të siguruar pamjet e kamerave të mbikëqyrjes me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm”, njoftoi Prokuroria.
Ngjarja ndodhi kur në sallë ishte i pranishëm edhe kryeministri Hristijan Mickoski me një delegacion qeveritar. Në fund të ndeshjes, kryeministri Mickoski nuk i komentoi mesazhet ofenduese, por përdori rrjetet sociale vetëm për të përshëndetur lojtarët maqedonas për ndeshjen, e cila përfundoi me fitoren e Bullgarisë.
Mickoski: Nuk i dëgjova, dënoj thirrjet raciste
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, kryeministri Mickoski i dënoi të hënën ato që ai i quajti “thirrje nacionaliste dhe ksenofobe” ndaj shqiptarëve, por sqaroi se nuk i kishte vënë re ato.
“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë. Gjithçka tjetër do të jetë objekt i hetimeve dhe sanksioneve, pa marrë parasysh nga kush vjen”, tha Mickoski në reagimin e tij të parë rreth ngjarjes.
Kryeministri shtoi se prokuroria ka nisur hetimet dhe bëhet fjalë “për një grup të vogël personash”.
“Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, tha ai.
Komiteti i Helsinkit: Indiferenca normalizon gjuhën e urrejtjes
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut doli të hënën me një deklaratë për shtyp, duke qortuar indiferentizmin e treguar nga politikanët pjesëmarrës në eventin e së shtunës, mes tyre ministri i Brendshëm, zv.kryeministri, kryetari i bashkisë së Kumanovës dhe kryetari i partisë Znam.
“Është shqetësuese që asnjë nga këta zyrtarë të lartë nuk reagoi ndaj thirrjeve ofenduese gjatë garës. Politikanët nuk duhet të qëndrojnë indiferentë dhe kështu të normalizojnë gjuhën e urrejtjes, sepse duke vepruar kështu ata kontribuojnë në nxitjen e atmosferës së përçarjeve, tensioneve dhe destabilizimit. Komiteti i Helsinkit monitoron dhe reagon vazhdimisht ndaj gjuhës së urrejtjes, e cila është një nga faktorët kryesorë që çon në krime të urrejtjes. Përveç kësaj, etnia ka dominuar për vite me radhë si baza më e zakonshme për gjuhën dhe aktet e urrejtjes, dhe autorët dhe viktimat më të shumta janë të rinjtë. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se dënimi publik është më e pakta që mund të bëjnë strukturat politike, dhe se institucionet kompetente mund t’i gjejnë dhe ndëshkojnë autorët,” theksoi Komiteti i Helsinkit në deklaratën e vet, duke bërë thirrje për tolerancë dhe respekt të diversitetit në vend.
Osmani dënon thirrjet antishqiptare: Të merren masa ndaj përgjegjësve
Thirrjet raciste dhe antishqiptare janë dënuar edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Duke i cilësuar si thirrje të papranueshme dhe në kundërshtim me frymën e bashkëjetesës, Osmani dënoi mos reagimin e zyrtarëve të lartë shtetëror në Shkup.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, njësoj si çdo komunitet tjetër në rajon. Më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtjeje e përjashtuese. Mungesa e një reagimi zyrtar krijon hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe paqen në vend. Sporti duhet të shërbejë si mjet për bashkim dhe jo si platformë për përhapjen e ideologjive të urrejtjes që rrezikojnë harmoninë sociale dhe kujtojnë episode të dhimbshme të së kaluarës. U bëj thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj organizatorëve dhe personave përgjegjës për nxitjen dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes, duke dënuar çdo formë të saj dhe duke mbrojtur parimet e tolerancës dhe bashkëjetesës. Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë,” përfundon deklarata e Presidentes Osmani.
Ngjarja shkaktoi reagime të forta në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe në Shqipëri.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e quajti rastin “të papranueshëm” dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë kërkon angazhim të vazhdueshëm.
Edhe përfaqësues politikë në Maqedoninë e Veriut e dënuan incidentin, duke e cilësuar si sulm ndaj bashkëjetesës dhe barazisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




