Tiranë, digjet magazina e rrobave të përdorura te “5 maji”, flakët vihen nën kontroll pas disa orësh. 60 efektivë dhe 15 mjete zjarrfikëse në terren
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mbrëmjen e sotme në Tiranë, duke përfshirë një zonë industriale dhe tregtare përgjatë rrugës “5 Maji”. Flakët kanë përfshirë magazinën e tregut të rrobave të përdorura, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme, kryesisht tekstile dhe rroba, zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka marrë përmasa të mëdha brenda një kohe të shkurtër.
Pas disa orësh ndërhyrjeje intensive, forcat zjarrfikëse kanë arritur ta vendosin zjarrin nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tij në objektet e tjera tregtare përreth.
Në operacion janë angazhuar rreth 60 efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe 15 mjete zjarrfikëse nga Tirana, Kamza, Vora dhe Elbasani. Gjithashtu në ndihmë të forcave zjarrfikëse, Ministria e Mbrojtjes ka dërguar 2 zjarrfikëse dhe 12 efektive nga Komanda e Forcës Tokësore
Në vendngjarje kanë qenë të pranishme edhe forca të Policisë së Shtetit, të cilat kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndihmuar në menaxhimin e situatës.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar apo rrezik për jetën e banorëve përreth, megjithëse zjarri ka shkaktuar panik të madh në zonë.
Shkaqet e rënies së zjarrit ende nuk dihen. Ekspertët pritet të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes sapo të bëhet shuarja e plotë e vatrës së zjarrit.
Ristani: Zjarri është vënë në kontroll, asnjë rrezikshmëri për përhapjen në qendrat e banuara
Zjarri që ka përfshirë magazinë e rrobave të përdorura që ndodhet në rrugën “5 Maji” në Tiranë është vënë nën kontroll.
Kjo u bë me dije nga kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, e cila theksoi mes të tjerash në një deklaratë për mediat se nuk ka asnjë rrezik për përhapjen e flakëve në zonat e banuara.
Ristani shtoi se do të duhet kohë për të shuar zjarrin deri në fund, për shkak se zona e përfshirë nga flakët ka një perimetër shumë të gjerë.
“Qëllimi ka qenë eliminimi i zjarrit vetëm në kapanonin e parë, por për shkak të pamundësisë për të ndërhyrë në të gjitha drejtimet, u përhap edhe në kapanonin e dytë. Nuk ka asnjë rrezikshmëri për përhapjen e zjarrit në qendrat e banuara. Jemi duke punuar për shuarjen e zjarrit deri në fund. Për fat të mirë nuk ka dëme në njerëz. Do të duhet kohë që të eliminohet i gjithi, por është vënë në kontroll sa i përket perimetrit. Zona e përfshirë nga flakët është mjaft e madhe dhe fatkeqësisht nuk mundëm ta shpëtojmë kapanonin apo mjete që ndodhen aty brenda, por është vënë nën kontroll. Bizneset përreth nuk janë djegur, por vetëm magazinat”, tha Ristani.
Goxhaj për RTSH: Po punojmë që flakët të mos përhapen në objektet e tjera
Një zjarr i madh ka përfshirë një magazinë të tregut të rrobave të përdorura në rrugën “5 Maji” në Tiranë, ndërsa zjarrfikësit po punojnë intensivisht për ta vendosur flakën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e saj në ndërtesat dhe bizneset përreth.
Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, tha për RTSH se të gjitha kapacitetet e zjarrfikësve të qytetit janë të angazhuara në vendin e ngjarjes, me mbështetje edhe nga zjarrfikësit e Kamzës dhe Vorës.
“Jemi me të gjithë kapacitetet e Tiranës këtu dhe me mbështetjen e zjarrfikësve të Kamzës dhe të Vorës. Momentalisht zjarri është i përqendruar në një objekt dhe po mundohemi që të mos përhapet në objektet e tjera. Është dashur ndihma nga shërbimet dhe drejtoritë e tjera. Kemi komunikuar edhe me drejtuesit e bashkisë Tiranë, që kanë vënë në dispozicion strukturat e ujësjellës-kanalizimeve, të cilat furnizojnë me ujë, si dhe shërbimet e tjera: policia e shtetit dhe policia bashkiake që sigurojnë perimetrin që të mos ketë dëmtime të tjera”, tha Goxhajt.
Pronaret e bizneseve janë të pranishëm dhe po mundohen që një pjesë të mallrave të tërhiqet për të parandaluar përhapjen e zjarrit. Goxhajt tha se nga informacionet e siguruara, në vendngjarje ka edhe bombola gazi, por ato janë bosh dhe nuk rrezikojnë jetën e zjarrfikësve apo përhapjen e flakëve.
“Pronarët e bizneseve janë këtu dhe po mundohen që një pjesë të mallrave ta tërheqin dhe të shmangin përhapjen e zjarrit. Jemi gjatë gjithë kohës duke luftuar me flakët për ta vendosur në kontroll. Nga informacioni që kemi, ka edhe bombola që përdoren për shitjen e gazit, por fatmirësisht ato janë bosh dhe nuk rrezikojnë zjarrfikësit dhe as përhapjen e zjarrit. Këtu ka rroba dhe mjete plastike që do na duhet kohë t’i shuajmë dhe mendoj se operacioni do zgjasë edhe pas mesnatës. Atë që po mundohemi është të izolojmë zjarrin vetëm brenda këtij objekti dhe të mos përhapet”, tha ai.
Prefekti i Tiranës: S’ka rrezik për banesat e bizneset
Zjarri masiv që ka përfshirë magazinat e rrobave të përdorura që ndodhen në rrugën “5 Maji” në Tiranë vijon, ndërsa deri më tani nuk paraqitet rrezik për banesat dhe bizneset. Kjo u bë me dije nga Prefekti i Tiranës, Afrim Qëndro, i cili tha për RTSH 24 se po ashtu deri më tani nuk ka rrezik as për banorët, ndërsa po punohet intensivisht për shuarjen e flakëve”.
“Nuk ka rrezik për banesat dhe bizneset. Pallati që është ngjitur vatrës është i pabanuar, nga ana tjetër ka magazina dhe për objektet e banimit afër nuk ka asnjë rrezik sepse po punohet për izolimin e zjarrit. Në terren janë të gjitha forcat e mundshme për ta menaxhuar. Nga zjarri është përfshirë një magazinë shumë e madhe”, u shpreh ai.
Policia ka vendosur një kordon sigurie, ndërsa në terren janë përfshirë 60 forca të shërbimit zjarrfikës dhe 11 automjete. Po ashtu, gazetarja e RTSH-së, Lusi Përgjegji bën me dije se është kërkuar ndihmë edhe nga zjarrfikësja e Vorës, Elbasanit dhe Durrësit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



