Tjetër shpërthim në një spital në Gaza, raportohet për viktima dhe të plagosur

Një tjetër shpërthim dyshohet se ka ndodhur në ambientet e jashtme të spitalit më të madh në qytetin e Gazës.
Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe, e cila operon në spital, njoftoi për një ambulancë të dëmtuar jashtë spitalit Al-Shifa. Sipas tyre automjetet e spitalit po ktheheshin nga kufiri Rafah në Gazën jugore, ku po merrnin palestinezët e plagosur, kur më pas janë goditur.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se një nga ambulancat e saj ishte në shënjestër pranë hyrjes së spitalit Al-Shifa, spitali më i madh i qytetit të Gazës.
Autoritetet shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi thanë se ambulanca u godit nga një sulm ajror izraelit dhe se ishte pjesë e një kolone që do të transportonte të plagosurit në jug për trajtim jashtë Gazës. Ushtria izraelite nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
“Ekipet mjekësore dhe ndihmësit humbën jetën,” tha Mohamed Abu Salmiya, drejtori i spitalit, në komentet televizive për Al Jazeera.
Ushtria izraelite ka akuzuar militantët e Hamasit se përdorin tokën nën kompleksin spitalor si qendër komandimi dhe forcat izraelite kanë kryer sulme në afërsi të spitaleve në qytetin e Gazës.
Izraeli u ka kërkuar civilëve që të largohen nga Gaza veriore, përfshirë spitalet, një kërkesë që zyrtarët e kujdesit shëndetësor thonë se është e pamundur të përmbushet.
Në lidhje me ngjarjen ende nuk ka një reagim zyrtar nga Izraeli, nëse shpërthimi ka qenë vepër e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



