Tom Cruise siç nuk e keni parë kurrë, “Digger” si surprizë për publikun dhe “rreziku” i madh për aktorin

Tom Cruise është mësuar të rrezikojë jetën në ekran, duke u varur nga avionët, duke drejtuar motorë në buzë të greminave dhe duke realizuar skena spektakolare aksioni. Por këtë herë, sfida e tij më e madhe nuk ka të bëjë me akrobacitë, por me një rol që mund të rezultojë në një nga zgjedhjet më të pazakonta të karrierës së tij.
Filmi i ri “Digger”, me regji dhe bashkë-skenar nga Alejandro G. Iñárritu, e shfaq Cruise në një version krejtësisht të panjohur për publikun. Aktori interpreton Digger Rockwell, një manjat të pasur nafte nga Teksasi, i cili është tullac, i thinjur dhe me bark, një transformim fizik shumë larg imazhit të heroit elegant dhe atletik që Cruise ka ndërtuar ndër vite.
Filmi është cilësuar si një nga veprat më të çuditshme të karrierës së aktorit dhe një komedi satirike që mund të ndajë publikun në dy kampe: ata që do ta adhurojnë dhe ata që mund të mos e durojnë deri në fund.
Rockwell është një biznesmen që vendos fitimet mbi gjithçka tjetër dhe tregohet indiferent ndaj pasojave mjedisore të aktivitetit të kompanisë së tij. Ironia është e pranishme kudo në filmin e Iñárritu-t: manjati ka një rezidencë të mbushur me kafshë ekzotike të balsamosura, ndërsa shqetësohet jashtëzakonisht për shëndetin e maces së tij.
Gjithçka ndryshon kur Rockwell informohet se aktiviteti i shpimit për naftë në Alaskë ka shkaktuar çarjen e një masivi akulli. Fillimisht ai përpiqet ta mohojë problemin, duke u justifikuar me vendet e punës që ka krijuar dhe duke ia kaluar përgjegjësinë të tjerëve.
Por situata përshkallëzohet kur një ajsberg gjigant, me përmasa të krahasueshme me një vend të vogël, shkëputet nga akullnaja dhe nis të lëvizë drejt Evropës Veriore. Sipas skenarit të filmit, brenda pak ditësh një cunami mund të përmbytë disa qytete të mëdha.
Presidenti amerikan, i interpretuar nga John Goodman, thërret një takim emergjent në rezidencën e Rockwell. Në tryezë mblidhen zyrtarë, ushtarakë dhe këshilltarë, ndërsa një shkencëtar i interpretuar nga Riz Ahmed përpiqet t’u shpjegojë përmasat e katastrofës.
Plani i tyre është po aq absurd sa edhe situata: përdorimi i fuqisë ushtarake për të ndryshuar drejtimin e ajsbergut. Paralelisht, diskutohet edhe mënyra se si mund të shmanget përgjegjësia e një kompanie amerikane për katastrofën e mundshme.
Sipas vlerësimit të “The Guardian”, ajo që e bën filmin veçanërisht interesante është se një skenar që disa vite më parë mund të dukej i ekzagjeruar, sot tingëllon shumë më i besueshëm, në një kohë kur pasojat e ndryshimeve klimatike po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
“Digger” nuk mbetet vetëm një satirë mjedisore. Filmi përmban edhe dy kthesa të rëndësishme të historisë, të cilat ndryshojnë mënyrën se si mund të interpretohen ngjarjet e para. Detajet e tyre nuk bëhen publike në mënyrë që të mos prishin përvojën e shikuesve.
Prania e Iñárritu-t, regjisorit të filmave “Amores Perros”, “Birdman” dhe “The Revenant”, ka bërë që filmi të shihet edhe si një eksperiment artistik i pazakontë për një aktor të përmasave të Tom Cruise.
Për një kohë u spekulua se Cruise mund të kishte zgjedhur këtë projekt me synimin për të fituar më në fund një Oscar për interpretimin. Megjithatë, sipas review-t të “The Guardian”, vetë natyra e pazakontë, e drejtpërdrejtë dhe satirike e filmit e dobëson këtë teori.
Kritika e vlerëson filmin me 4 nga 5 yje, duke e cilësuar si një vepër që mund të mos funksionojë për çdo shikues, por që guxon të shkojë shumë larg me idenë, stilin dhe interpretimin e Cruise.
Edhe pse disa pjesë konsiderohen të ekzagjeruara dhe ritmi mund të duket i gjatë, performanca e Cruise vlerësohet për përmasat e saj të pazakonta. Aktori shfaqet në një rol grotesk dhe shumë larg personazheve të tij të zakonshëm, ndërsa filmi ndërthur satirën politike, katastrofën ekologjike dhe komedinë e zezë.
Në fund, “Digger” paraqitet si një tjetër shembull i ambicies së Cruise për të shtyrë kufijtë. Nëse në filmat aksion ai kërkon të realizojë skenat më të rrezikshme të mundshme, këtë herë ai ka zgjedhur të marrë një tjetër lloj rreziku: të braktisë formulën e sigurt të superprodhimeve të Hollivudit dhe të interpretojë një personazh të çuditshëm në një film po aq të pazakontë sa vetë ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





