Tragjedia në Koçan, ndalohen ish-ministra të BDI dhe zyrtarë të Maqedonisë V.

Maqedonia e Veriut | 1 vit më parë

Ish-ministra të Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut që nga viti 2012 dhe zyrtarë të tjerë janë ndaluar nga policia vendase në kuadër të hetimit që po vijon për tragjedinë e 16 marsit, ku si pasojë e zjarrit që ra në klubin e natës “Puls” në Koçan, humbën jetën 61 persona dhe u lënduan rreth 200 të tjerë.

Mes të ndaluarve janë ish-ministrat e Ekonomisë, anëtarë të partisë shqiptare BDI, Valon Saraçi dhe Bekim Neziri, ministri aktual pa portofol dhe ish-kreu i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim i Partisë së Forcave Demokratike të Romëve, Shaban Saliu, si dhe drejtori aktual i kësaj drejtorie, Xhevat Selami i koalicionit VLEN, pjesë e qeverisë së kryeministrit Hristjan Mickoski, ndërkohë që i dyshuar është edhe ish-ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, edhe ai anëtar i BDI-së dhe aktualisht ambasador në Norvegji.

“Me urdhër të prokurorit publik po zhvillohet një aksion për ndalimin e disa personave, me qëllim zgjerimin e hetimeve për zjarrin në Koçan,” raportohet të jenë shprehur për mediet vendase burime nga prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut.

Hetimet për tragjedinë e Koçanit u përqendruan fillimisht tek 30 të dyshuar, ndërsa tashmë pjesë e tij janë bërë edhe 23 të tjerë. Por aksionin policor, ku u ndaluan ish-zyrtarë të saj, si dhe të forcave të tjera shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, tashmë në opozitë, e cilësoi si sulm ndaj popullit shqiptar.

“Në mënyrë të njëanshme, ministri i Brendshëm dhe prokurori i shtetit kanë drejtuar hetimin kundër shqiptarëve, që kanë qenë pjesë e institucioneve të sistemit në çfarëdo forme dhe në çdo kohë,” shkruhet në deklaratën për shtyp të BDI-së.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme