U ekstradua nga SHBA, del para Gjykatë së Fierit Sokol Hoxha, kërkon parashkrimin e dënimit për vrasje

Sokol Hoxha, 51-vjeçari i ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka mbërritur këtë të hënë në Gjykatën e Fierit, nën masa të rrepta sigurie, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për shpalljen e parashkrimit të dënimit penal.
Hoxha, nga Patosi, është dënuar në vitin 2000 nga Gjykata e Fierit me 25 vite burg në mungesë, për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 1997. Ai është dënuar gjithashtu me burgim të përjetshëm nga drejtësia belge për vrasjen e Brunilda Dervishit.
Pas më shumë se 26 vitesh nga vendimi i Gjykatës së Fierit, Hoxha kërkon që dënimi të shpallet i parashkruar, duke iu drejtuar gjykatës për të përfituar nga mekanizmat e parashikuar në legjislacionin penal. Kërkesa e tij lidhet me periudhën e gjatë gjatë së cilës dënimi me 25 vite burg nuk është ekzekutuar.
51-vjeçari u arrestua në Shtetet e Bashkuara në muajin maj, në kuadër të operacionit “Globi”, falë bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, Belgjikës dhe SHBA-së. Ai u ekstradua në Shqipëri më 6 gusht dhe u dërgua në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin e dhënë në vitin 2000.
Seanca e mëparshme, e zhvilluar një javë më parë, u shty për këtë të hënë, me qëllim marrjen e informacionit nga Gjykata e Lartë lidhur me vendimmarrjen më të fundit për çështjen.
Përpara trupës gjykuese, të përbërë nga gjyqtarja Aurora Tusha, prokurorja Malbora Dinaj dhe avokatët Toto Avdija e Rozeta Plaku, Hoxha do të përballet me shqyrtimin e kërkesës së tij për shuarjen e dënimit penal.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



