Ura e Mesit jo vetëm atraksion turistik, por një qendër emocionesh
Një ndër monumentet më të bukura historike të Shkodrës, Ura e Mesit, po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar edhe për turistët e huaj.
Në sfondin e këtij thesari arkitektonik mbi lumin Kir, sot u krijua një atmosferë magjike që të kujton një dasmë tradicionale shqiptare dhe mikpritjen karakteristike të zonës.
Shumë të huaj ndalojnë për të bërë fotografi, për të filmuar, por edhe për të përjetuar nga afër një copëz të kulturës dhe shpirtit shqiptar.
“Vijmë nga Franca. Është shumë, shumë bukur. Një vend i mrekullueshëm! Ka shumë zona të ndryshme për të vizituar. Ura e vogël këtu është shumë e këndshme. Po prisnim të shihnim dhëndrin.”
“Është hera e parë për mua që vizitoj Shqipërinë. Mali, natyra është e bukur. Atmosferë e veçantë.”
“Vijmë nga Polonia. Vetëm një orë më parë shkuam për të parë detin. Po edhe ura është shumë e bukur. Po shijojmë këto momente të këndshme me miqtë tanë, një dasmë shqiptare.”
Ura e Mesit, e ndërtuar në shekullin XVIII, jo vetëm që është një dëshmi historike, por edhe një pikë takimi e traditës me turizmin modern.
Aty ku guri, lumi dhe njerëzit bashkohen në një harmoni të veçantë, atmosfera e një dasme shqiptare bëhet simbol i gjallë i mikpritjes sonë.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





