Vatikani: Përfundon me sukses ndërhyrja kirurgjikale në mushkëri të Papa Leoni XIV

Papa Leoni XIV i është nënshtruar sot një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një noduli në mushkëri. Vatikani njoftoi se operacioni u krye “me sukses, sipas kalendarit dhe siç ishte parashikuar”.
Sipas deklaratës së zëdhënësit të Vatikanit, 71-vjeçari është kthyer në dhomën e tij në spitalin “Gemelli” të Romës pas përfundimit të ndërhyrjes, ndërsa informacione të mëtejshme rreth gjendjes së tij shëndetësore do të jepen në vijim.
Më herët gjatë ditës, Papa hyri nga hyrja kryesore e spitalit “Gemelli”, ku përshëndeti dhjetëra besimtarë që ishin mbledhur për ta uruar. Vatikani bëri me dije se operacioni u krye nga një ekip mjekësor i udhëhequr nga shefi i kirurgjisë torakale të spitalit, Dr. Stefano Margaritora.
Gjatë kohës që po kryhej ndërhyrja mbrëmjen e së martës, stafi mjekësor u mblodh në kapelën e spitalit për t’u lutur. “Të bashkohemi në lutje, duke i kërkuar Zotit të mbështesë peshkopin tonë, Papën Leon, si dhe të ngushëllojë të gjithë të shtruarit këtu”, u shpreh Vikari i Romës, Kardinali Baldassare Reina.
Ati i Shenjtë me origjinë amerikane ka treguar një nivel të rrallë transparence lidhur me këtë problem shëndetësor — i pari i bërë publik gjatë 17 muajve të papatit të tij.
Ai e zbuloi vetë praninë e nodulit të vogël e të lokalizuar gjatë lutjes së të dielës, ku njoftoi edhe vendimin për ta hequr atë.
Mjekët onkologë shprehen se, edhe nëse noduli rezulton kancerogjen, prognoza e Papës është “shkëlqyer”, pasi heqja po bëhet në një fazë mjaft të hershme.
Kjo ndërhyrje, e cila zakonisht kryhet me anestezi totale, kërkon një qëndrim njëjavor në spital. Për këtë arsye, Vatikani ka anuluar të gjitha audiencat e Papës deri më 20 tetor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




