Vdekja e gazetarit të AFP-së në Ukrainë, Franca nis hetimet për krime lufte

Pas vdekjes së gazetarit të Agence France-Presse, Arman Soldin në Ukrainë, Franca ka hapur një hetim për krime lufte ndaj Rusisë.
Sipas zyrës së prokurorisë kundër terrorizmit të vendit, hetimi u hap për tre çështje të krimeve të luftës duke përfshirë “sulm mbi jetën dhe integritetin fizik ose psikologjik të një personi”, “sulmin e qëllimshëm kundër popullatës civile” dhe “sulm të qëllimshëm duke ditur se do të shkaktojë humbje të jetës civile ose lëndim të popullatës civile”.
Prokuroria e Francës kundër terrorizmit ka hapur tashmë shtatë hetime paraprake kundër “personave të panjohur” për krime lufte të kryera që nga shkurti i vitit 2022 kundër shtetasve francezë në Ukrainë.
“Dy prej tyre kanë të bëjnë me krimet e kryera kundër gazetarëve francezë në ushtrimin e profesionit të tyre”, thuhet në njoftim.
Soldin u vra në një sulm me raketë në periferi të qytetit Chasiv Yar, afër Bakhmut, njoftoi AFP në Twitter, duke cituar kolegët që ishin dëshmitarë të incidentit.
Soldin dhe ekipi raportues ishin me ushtarët ukrainas kur u sulmuan rreth orës 16:30 me orën lokale të martën, sipas AFP-së, transmeton CNN.
32-vjeçari ishte me katër kolegë në momentin e sulmit, por gazetarët e tjerë nuk u lënduan.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




