Vendimi më 16 shtator, Krasniqi: I bindur se Gjykata Speciale do të dëshmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së
Gjatë një interviste për Radiotelevizionin e Kosovës, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u shpreh i bindur se vendimi i Gjykatës Speciale më 16 shtator do të dëshmojë pastërtinë e luftës së UÇK-së.
“Nuk kam asnjë dyshim se në fund, kur të peshohen të gjitha faktet, drejtësia do të triumfojë dhe pastërtia e luftës sonë çlirimtare do të konfirmohet plotësisht. Besoj fuqishëm se ky proces do të shërbejë për të vërtetuar para historisë se lufta jonë është një përpjekje e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme për liri.”
Krasniqi u shpreh se Perëndimi e njeh të vërtetën e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare nuk mund të ripërcaktohet si një organizatë kriminale apo terroriste.
“Bota nuk mund ta harrojë atë që ka parë me sytë e vet, sakrificën e një populli për liri. Prandaj, pavarësisht proceseve gjyqësore në vazhdim në Hagë, historia nuk mundet dhe nuk duhet ta ripërcaktojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një organizatë kriminale apo terroriste.”
Lidhur me zhvillimet në Kosovë, Krasniqi u shpreh: “Sfidat tona, si ato të brendshme, edhe ato në skenën ndërkombëtare e gjeopolitike, kërkojnë një vizion strategjik afatgjatë që shkon përtej mandateve katërvjeçare. Është koha për maturi, për gjetjen e një uniteti kombëtar rreth institucioneve jetike të shtetit dhe për ruajtjen e partneriteteve strategjike.”
Ish-kreu i Kuvendit të Kosovës pati edhe një mesazh për brezin e ri që nuk e ka përjetuar luftën.
“Mesazhi im për të rinjtë është i thjeshtë: duajeni dhe mbroni Kosovën. Liria që gëzoni sot nuk ka ardhur falas; ajo është paguar me çmimin më të lartë njerëzor, me sakrificën e shumë brezave.”
Ish-komandantët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, mbahen në paraburgimin e Hagës që nga fundi i vitit 2020. Prokuroria Speciale i akuzon ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së UÇK-së në vitin 1999 dhe ka kërkuar dënimin e tyre me nga 45 vite burg.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




