Veteranët në marshin e UÇK-së kërkojnë lirimin e ish-krerëve në Hagë: Lufta jonë ishte e drejtë

Kosovë | 3 muaj më parë

Në Ditën e Çlirimit të Prishtinës, ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të veshur me uniformat e saj, marshuan nëpër sheshet e kryeqytetit duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. 

Veteranët theksuan se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të saj është i padrejtë. Ata shprehën optimizëm se ish-krerët do të kthehen së shpejti në Kosovë. 

Asllan Doshi, veteran invalid i luftës dhe ish-zëvendëskomandant Togu, tha se marshi është shprehje respekti për të gjithë ata që kontribuuan në çlirimin e vendit. 

“Ne e besojmë që lirimi duhet të jetë i menjëhershëm, sepse ky proces është gjykim i padrejtë i luftës sonë çlirimtare.” 

Edhe veterani Hajzer Bistrica kujtoi angazhimin e tij që nga ditët e para të luftës deri në çlirimin e vendit. Ai tha se ndihet krenar që është dëshmitar i gjallë i sakrificës së asaj periudhe. 

“Kam bartur armatimin nga Shqipëria në Kosovë për t’i ndihmuar ushtarët tanë. Jam krenar që sot jam dëshmitar i gjallë i asaj sakrifice.” 

Bistrica shtoi se ish-krerët e UÇK-së nuk do të duhej të përballeshin me procesin gjyqësor në Hagë dhe se pret kthimin e tyre sa më shpejt në Kosovë. 

Komandanti i Zonës së Pestë Operative Llap–Gollak, Islam Kelmendi, theksoi se uniforma e UÇK-së mbetet simbol i shenjtë për luftëtarët dhe se çdo paraqitje me të zgjon emocionet e kohës së luftës. 

Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, falënderoi veteranët për pjesëmarrjen në marsh, duke e cilësuar aktivitetin si një përkujtim të sakrificës së dëshmorëve dhe familjeve që kontribuuan për lirinë e vendit. 

“Urime 11 Qershori, Dita e Çlirimit të kryeqytetit! Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe familjeve që kanë dhënë çdo gjë që sot të jemi të lirë e ta festojmë këtë ditë të mrekullueshme në paqe.” 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme