Vizita në Tajvan, Truss i kërkon Sunak ta shpallë Kinën “kërcënim” për Mbretërisë së Bashkuar

Ish-kryeministrja Britanike Liz Truss i ka kërkuara pasardhësit të saj Sunak që të mbajë zotimin e tij dhe të shpallë kinën si kërcënim për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar. Këto komente Truss i dha gjatë një vizite në Tajvan.
Gjatë një vizite në Tajvan, Ish kryeministrja britanike Liz Truss i ka kërkuar pasuesit të saj Rishi Sunak ta shpallë Kinën si kërcënim për sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Ish kryeministrja sfidoi zotin Sunak që të përmbushte zotimet e bëra verën e shkuar për frenimin e Kinës.
Zonja Truss mbajti këtë të mërkurë një fjalim në kryeqytetin Taipei të Tajvanit, duke u bërë ish kryeministrja e parë britanike që vizitoi Tajvanin që nga vizita e Margaret Thecër në 1996-ën.
Në fjalim, Truss i kërkoi perëndimit të mos punonte me Kinën, duke paralajmëruar se regjimet totalitare nuk tregojnë të vërteten.
Ajo gjithashtu krahasoi tensionet mes Kinës dhe Tajvanit me pushtimin rus të Ukrainës. Ambasada kineze në Londër ndërkohë e quajti vizitën e Truss një shfaqje të rrezikshme politike që do të dëmtonte Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë garës për kreun e partisë konservatore, Truss u zotua të ndërmerrte një përqasje të ashpër ndaj qeverisë kineze dhe se do ta shpallte Kinën, nën drejtimin e partisë komuniste, një kërcënim për sigurinë kombëtare.
Por planet e saj nuk u realizuan për shkak se shërbeu për shumë pak kohë si kryeministre. Edhe pasuesi i saj Rishi Sunak u shpreh se Kina ishte kërcënimi më i madh afatgjatë i Britanisë dhe premtoi të mbyllte të 30 institutet e Pekinit në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat japin mësime për gjuhën dhe kulturën kineze por ndërkohë janë kritikuar se përdoren nga Pekini për të përhapur propagandë, për të ndërhyrë në lirinë e fjalës në kampuset universitare madje edhe për të spiunuar studentet. Këto institute ndërkohë ende nuk janë mbyllur në Britani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




