Vjedhje spektakolare në Itali, grabiten 30 mijë shishe verë me vlerë 5 milionë euro

Rreth 30 mijë shishe verë, me një vlerë të përllogaritur prej 5 milionë eurosh, janë grabitur nga një prej kantinave më prestigjioze të Italisë, Marchesi Antinori. Sipas raportimeve të mediave italiane, vjedhja ndodhi të shtunën në një magazinë të kompanisë në Toskanë, ndërsa po përgatitej një ngarkesë për t’u dërguar klientëve jashtë vendit.
Të paktën shtatë persona të maskuar dyshohet se çaktivizuan alarmet, ndërprenë funksionimin e kamerave të sigurisë dhe përdorën pirunët ngritës të kompanisë për të ngarkuar shishet në dy kamionë të mëdhenj.
Mes verërave të grabitura janë disa nga etiketat më të njohura të kantinës, përfshirë Tignanello, Solaia dhe Guado al Tasso, verëra të kuqe toskane me vlerë të lartë në treg.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Renzo Cotarella, deklaroi për gazetën “Corriere della Sera” se bëhet fjalë për vjedhjen më të madhe të këtij lloji të regjistruar ndonjëherë në Itali.
“Një vjedhje e kësaj përmase dhe me këtë vlerë sigurisht që nuk ka ndodhur kurrë më parë në Itali”, u shpreh ai.
Cotarella tha se shpreson që autoritetet të arrijnë të gjurmojnë ngarkesën e vjedhur. Sipas tij, dy kamionë të mbushur me mall nuk mund të zhduken pa lënë gjurmë, ndërsa rrugët e Toskanës janë të pajisura me shumë kamera sigurie, të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e lëvizjeve të tyre.
Në një prononcim për “Financial Times”, ai ngriti pikëpyetje se si mund të shiten në tregjet ndërkombëtare sasi të tilla verërash pa rënë në sy.
Kompania dyshon se autorët kishin njohuri të posaçme për verërat dhe mënyrën e funksionimit të kantinës. Kjo dyshesë lidhet edhe me përzgjedhjen e shisheve, të cilat zakonisht shiten me çmime nga 150 deri në 500 euro secila.
Vjedhja u zbulua vetëm të hënën në mëngjes, kur punonjësit mbërritën në ambientet e magazinës. Deri më tani nuk raportohet për arrestime.
Marchesi Antinori u themelua në vitin 1385 dhe është një nga bizneset familjare më të mëdha të verës në Itali. Kompania eksporton produktet e saj në 170 vende të botës dhe vitin e kaluar regjistroi të ardhura prej 263 milionë eurosh.
Rasti vjen në një periudhë kur Italia është përballur me disa vjedhje të tjera të verërave me vlerë të lartë. Gjatë këtij viti, në rajonin verior të Piemontes janë raportuar dy grabitje të ngjashme, ku u morën shishe me vlerë prej qindra mijëra eurosh.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




