Vranë dy vëllezërit pas sherrit me djemtë e viktimave/Burgim të përjetshëm autorit, dënohen edhe djemtë e tij me nga 30 dhe 25 vjet burg

Aktualitet | 3 muaj më parë

Gjykata e Fierit ka dhënë vendimin për një nga ngjarjet më të rënda kriminale të vitit 2024 në zonën e Fierit.

Me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Genci Busho, Alfred Konomi dhe Vladimir Cjapi, gjykata dënoi me burgim të përjetshëm 51 vjeçarin Altin Kuka, si autor kryesor i vrasjes së vëllezërve Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj në fshatin Kurjan të Roskovecit.

Sipas vendimit, Altin Kuka u gjet fajtor për akuzat “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve e municionit luftarak”, ndërsa djemtë e tij, Emaurisio Kuka u dënua me 27 vjet burg për akuzat e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, mbajtje pa leje të armëve e municionit, armë të ftohta, plagosje të lehtë me dashje dhe djali tjetër, Ervis Kuka u dënua me 30 vjet burg për akuzat kryesore që përfshijnë “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe shkelje të tjera të lidhura me armët.

Ngjarja e rëndë ndodhi në shtator të vitit 2024, pas një sherri fizik mes Ervis Kukës (21 vjeç në atë kohë) dhe djemve të viktimave. Pas konfliktit, Ervis Kuka ka komunikuar me të atin dhe vëllanë, duke çuar në organizimin e hakmarrjes.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Fierit, Ervis Kuka la një armë automatike luftarake model 56 pranë një kasolle në pronën e tyre. Emaurisio Kuka e mori armën, shkoi me makinë pranë lokalit ku ndodheshin viktimat, mbushi karikatorin dhe ia dorëzoi babait të tij, Altin Kukës, i cili kreu ekzekutimin me breshëri të Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj.

Prokuroria sqaroi se arma u përdor në mënyrë të paramenduar dhe e koordinuar mes të tre të pandehurve.

Krahas tre kryesorëve, në gjyq u sollën edhe pesë persona të tjerë, mes tyre babai i një të akuzuari për mbështetje, babai i Altin Kukës, si dhe dy kushërinj, kryesisht për akuzën e mbajtjes pa leje të armëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme