Vritet me thikë 24-vjeçari shqiptar në Itali, plagoset i vëllai, në pranga një 32-vjeçar italian

Një 24-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi u godit disa herë me thikë gjatë një sherri në Vescovato, një qytezë në provincën e Kremonës, në veri të Italisë.
Viktima, e identifikuar si N.Dalipaj, u sulmua mbrëmjen e së hënës në Viale Italia, në qendër të qytetit. Sipas mediave italiane, ai është goditur të paktën tre herë në pjesën e qafës. Edhe pse u transportua me urgjencë në spital në gjendje kritike, 24-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Për ngjarjen është ndaluar një 32-vjeçar italian, i identifikuar si Mattia Miraglia (në foto), banor i Vescovatos dhe pa precedentë penalë. Edhe ai ka mbetur i plagosur gjatë përplasjes dhe ndodhet i shtruar në spital nën mbikëqyrjen e policisë, ndërsa pozita e tij po shqyrtohet nga autoritetet gjyqësore.
Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve, konflikti dyshohet të ketë pasur motive personale dhe lidhet me xhelozinë për një vajzë.
Mediat italiane raportojnë se përplasja kishte nisur më herët në një lokal në Kremona, ku mes dy të rinjve kishte pasur një debat. Edhe pse situata dukej se ishte mbyllur, më vonë 24-vjeçari shqiptar, i shoqëruar nga vëllezërit e tij, shkoi pranë banesës së 32-vjeçarit në Vescovato.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, italiani ka dalë nga banesa i armatosur me thikë. Gjatë përplasjes ai dyshohet se ka plagosur fillimisht në bark një nga vëllezërit e viktimës dhe më pas ka goditur për vdekje 24-vjeçarin shqiptar.
Karabinierët e stacionit lokal dhe të Repartit Hetimor të Kremonës vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë penale të të përfshirëve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




