Vuçiç flet për Kosovën në OKB: Do të mbrojmë integritetin territorial, Kartën e OKB-së, Rezolutën 1244

Kosovë | 1 orë më parë

Kosova ishte në qendër të fjalimit që presidenti serb mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Aleksandër Vuçiç tha se rendi ndërkombëtar është shembur, por Beogradi do të vazhdojë të mbrojë integritetin e vet territorial, Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ai kritikoi vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke i akuzuar se kanë shkelur parimet e Kartës së OKB-së dhe se kanë zbatuar standarde të dyfishta për çështjen e integritetit territorial, ndërsa shprehu mirënjohje ndaj 107 vendeve të tjera që ende nuk e kanë ndërmarrë një hap të tillë.

“Ne e dimë që shumë nga këto vende janë ekspozuar ndaj presionit dhe e dimë që mbajtja e një qëndrimi parimor është ndonjëherë shumë më e vështirë sesa duket nga jashtë.”- deklaroi Vuçiç.

Ndërsa u ndal te marrëveshja e Brukselit e nënshkruar  në vitin 2012, presidenti serb pretendoi se vendi i tij i ka përmbushur të gjitha detyrimet e dala prej saj. Ai akuzoi Kosovën se ende nuk e ka krijuar Asosacionin e Komunave Serbe, pika e vetme sipas tij që kishte Prishtina për të përmbushur, duke e cilësuar nënshkrimin e atij pakti të pavlerë.

Me një mesazh për Jugun Global, Vuçiç tha se ato vende duhet të tregojnë kujdes kur nënshkruajnë marrëveshje me fuqitë e mëdha. Pasa kritikave nga Kroacia, presidenti serb iu përgjigj ashpër  kryeministrit Andrej Plenkoviç.

“Gjëja më e vështirë për ne në Serbi është kur shohim ngritjen e nazizmit në piedestalin e vlerave shoqërore në mjedisin tonë, veçanërisht në Republikën e Kroacisë, e cila është krenare si për të kaluarën e saj naziste ashtu edhe për përdorimin e sloganeve dhe simboleve naziste sot”- deklaroi ndër të tjera Vuçiç.

Duke vlerësuar mbështetjen e Brukselit për anëtarësimin në BE, ai theksoi se rruga evropiane nuk mund të nënkuptojnë heqjen dorë nga miqësitë tradicionale, falë të cilave sipas tij, Beogradi është një nga kryeqytetet e pakta evropiane nga i cili mund të fluturosh direkt për në Shtetet e Bashkuara, Republikën Popullore të Kinës dhe Federatën Ruse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme