Yevgeny Prigozhin: Më shumë se 20,000 trupa Wagner humbën jetën në betejën e Bakhmutit

Botë | 4 vite më parë

Kreu i ushtrisë private ruse Wagner thotë se forcat e tij kanë humbur më shumë se 20,000 luftëtarë në betejën e zgjatur për Bakhmutin. Kjo përbën rreth 20% të 50,000 të dënuarve rusë që ai rekrutoi për të luftuar në qytetin lindor të Ukrainës.

Shifra është në kontrast të plotë me pretendimet gjerësisht të diskutueshme nga Moska se ajo ka humbur pak më shumë se 6,000 trupa në luftë, por është më i lartë se vlerësimi zyrtar i humbjeve sovjetike në luftën në Afganistan me rreth 15,000 ushtarë midis viteve 1979-89. 

Ukraina nuk ka publikuar të dhëna se sa nga ushtarët e saj kanë humbur jetën që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt 2022.

Analistët besojnë se lufta nëntë-mujore vetëm për Bakhmutin, u ka kushtuar jetën dhjetëra mijëra ushtarëve, mes tyre edhe të dënuar, që thuhet se kishin marrë pak trajnim përpara se të dërgoheshin në front.

Synimi pushtues i Rusisë për “çmilitarizimin” e Ukrainës ka dështuar sepse ushtria e Kievit është bërë më e fortë nga furnizimi me armë dhe stërvitja nga aleatët e saj perëndimorë. Ky është vlerësimi i shefit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, gjatë një interviste të zhvilluar me Konstantin Dolgov, një strateg politik pro-Kremlinit.

Prigozhin tha gjithashtu se forcat e Kremlinit kanë vrarë civilë gjatë luftës, diçka që Moska e ka mohuar vazhdimisht, madje me forcë.

Ai tha në intervistë se ishte tërësisht e mundur një kundërofensivë nga Kievi në javët e ardhshme, duke pasur parasysh edhe mbështetjen e vazhdueshme perëndimore. Kjo mund t’i largojë forcat ruse nga Ukraina jugore dhe lindore, si dhe nga aneksimi i Krimesë.

“Një skenar pesimist: ukrainasve u jepen raketa, ata përgatisin trupa, sigurisht që do të vazhdojnë ofensivën e tyre, do të përpiqen të kundërsulmojnë”,- tha ai. 

“Ata do të sulmojnë Krimenë, do të përpiqen të hedhin në erë urën e Krimesë (në kontinentin rus), do të ndërpresin linjat (tona) të furnizimit. Prandaj, ne duhet të përgatitemi për një luftë të vështirë.”

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha të mërkurën se “luftimet e ashpra” po vazhdojnë brenda Bakhmutit, disa ditë pasi Rusia tha se e pushtoi plotësisht qytetin e shkatërruar.

Bakhmut shtrihet në provincën Donetsk, një nga katër provincat e aneksuara ilegalisht nga Rusia vjeshtën e kaluar. Apnews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme