Zelensky paralajmëron Rusinë: Do të shtojmë sulmet ndaj rafinerive ruse

Europë | 58 minuta më parë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Kievi do të intensifikojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, si kundërpërgjigje ndaj asaj që ai e cilësoi si një strategji të re të Moskës për të detyruar civilët të largohen nga Kievi dhe qytete të tjera ukrainase.

Në një intervistë për Reuters, Zelensky tha se shërbimet e inteligjencës ukrainase kanë siguruar dokumente që, sipas tij, tregojnë se presidenti rus Vladimir Putin ka autorizuar sulme të zgjeruara kundër infrastrukturës civile.

Ai pretendoi se forcat ruse po godasin rrjetet e furnizimit, rrugët, shkollat, spitalet dhe zona të banuara me qëllim ushtrimin e presionit mbi popullsinë civile.

Sipas Zelenskyt, ky ndryshim strategjie lidhet me përpjekjet e Kremlinit për të treguar forcë në një moment kur ushtria ruse po përballet me humbje të konsiderueshme në rajonin e Donbasit.

Presidenti ukrainas theksoi se Ukraina do të përgjigjet duke goditur objektiva strategjikë ekonomikë në Rusi, veçanërisht rafineritë e naftës.

“Ne duhet t’u përgjigjemi sulmeve ndaj infrastrukturës sonë energjetike. Duhet të godasim infrastrukturën e tyre, para së gjithash rafineritë dhe çdo objekt që i siguron Rusisë të ardhura për të financuar luftën”, u shpreh ai.

Zelensky siguroi se objektivi i këtyre operacioneve do të jetë infrastruktura ushtarake dhe ekonomike dhe jo civilët.

Presidenti ukrainas foli gjithashtu për zhvillimet në industrinë vendase të armëve, duke përmendur përdorimin e parë në fushën e betejës të raketës balistike FP-7, e cila ka një rreze veprimi prej rreth 250 kilometrash.

Ai zbuloi se ka kërkuar përshpejtimin e zhvillimit të raketës FP-9, e cila do të ketë rreze më të madhe veprimi dhe potencialisht mund të godasë objektiva më të largët brenda territorit rus.

Në të njëjtën kohë, Zelensky i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të mos normalizojnë marrëdhëniet me Moskën përpara arritjes së një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë. Ai paralajmëroi se Perëndimi nuk duhet të krijojë iluzione se Rusia do t’i japë fund luftës nëse siguron kontrollin e plotë të Donbasit.

Megjithatë, kreu i shtetit ukrainas u shpreh i gatshëm për bisedime paqeje me presidentin rus Vladimir Putin, duke mos përjashtuar mundësinë e një takimi në margjinat e samitit të ardhshëm të G20.

“Paqja është më e rëndësishme se ekonomia”, deklaroi Zelensky, duke theksuar se çdo rivendosje e marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike mes Rusisë dhe Perëndimit duhet të kushtëzohet me përfundimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme