Zgjedhja e Presidentit, Albin Kurti propozon Justina Shiroka Pulën më pak se dy orë para skadimit të afatit

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë për mediat, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar emrin e profesoreshës Justina Shiroka Pula si kandidate për postin e Presidentit të Republikës. Propozimi vjen si përpjekje e minutave të fundit për të shmangur dështimin e procesit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.
“Më pak se dy orë para skadimit të afatit kushtetues, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se propozon që Justina Shiroka Pulën të jetë kandidate për presidente,” deklaroi Kurti.
Gjatë fjalës së tij, Kurti analizoi dhe iu përgjigj publikisht qëndrimeve të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, i cili kishte refuzuar kandidaturat e mëparshme të Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit me pretendimin e profilizimit politik.
“Kryetari Hamza e refuzoi edhe Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin, me pretendimin që ata janë politikë, andaj të papranueshëm. Ndërkaq në pyetjen e gazetares: ‘Feride Rushiti nuk është me kartelë të Vetëvendosjes, pse nuk është e pranueshme për ju?’, kryetari Bedri Hamza tha: ‘Nuk e di a e ka librezën, mendoj se është fort Vetëvendosje’,”, citoi Kurti nga deklarata e kreut të PDK-së.
Formula e propozuar, seancë me dy pika dhe zotimi për votim
Kryeministri parashtroi një formulë të re procedurale, sipas së cilës Lëvizja Vetëvendosje do të votonte në lexim të dytë projektligjin mbi Gjykatën Speciale, me kusht që grupi parlamentar i PDK-së të marrë pjesë në votimin e presidentes së re.
“Nënkupton një seancë me dy pika: pika e parë, leximi i dytë i projektligjit mbi Gjykatën Speciale e ka votën tonë. Dhe mandej, votimi për presidente të profesoreshës Justina Shiroka Pula nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ish-ministre e PDK-së në Qeverinë Thaçi 1,”, deklaroi Kurti.
Në përmbyllje të prononcimit, Kurti kërkoi nga kryetari i PDK-së që të dalë publikisht dhe të zotohet për praninë e 22 deputetëve të opozitës në seancën e përbashkët votuese.
“Justina Shiroka Pula do të pranohej nga shumica, nga Vetëvendosja me 53 deputetë sa jemi dhe gjithsej me pakica 62. Vetëm le të del pas kësaj konference që po e mbaj unë këtu kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e le të deklarojë, duke u zotuar publikisht që ai vetë i 22-ti vazhdon me qëndru edhe për pikën e dytë të seancës së njëjtë: votimi i presidentes së re të Republikës,”, përfundoi kryeministri Kurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




