Zgjedhja e Presidentit dhe zhbllokimi institucional, Kurti takim me Abdixhikun: Ende pa marrëveshje, por dialogu do të vazhdojë

Kosovë | 2 muaj më parë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi pasditen e kësaj premte, 10 korrik, takimi me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, lidhur me konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, formimin e qeverisë së re dhe, më pas, zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Pas takimit, Kurti tha se bisedimet u zhvilluan në një atmosferë konstruktive, por pa arritur ende një marrëveshje konkrete për zhbllokimin e situatës politike në vend. Kurti tha se diskutimet u përqendruan te zhvillimet politike, konstituimi i institucioneve të reja dhe zgjedhja e presidentit, duke theksuar se deri tani nuk ka një konkluzion përfundimtar.

“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, ku diskutuam shumë çështje të zhvillimeve politike, të dinamikave institucionale dhe njëkohësisht orarin që na pret përpara konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet. Kemi diskutuar për të gjitha këto, por ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur që mund ta ndajmë me ju. Jam optimist për rrugën përpara dhe besoj se racionaliteti do të vazhdojë të mbizotërojë edhe në takimet e ardhshme”, tha Kurti.

Kurti u ndal edhe te zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Kosovës, duke theksuar se kreu i shtetit duhet të jetë një figurë konsensuale që përfaqëson unitetin e qytetarëve.

“Ne besojmë që fryma dhe germa e Kushtetutës është që presidenti të jetë përfaqësues i unitetit të popullit dhe, në këtë kuptim, duhet të jetë konsensual. Përqendrimi nuk ka qenë te emra të veçantë, por te koncepti i përparimit dhe vizioni përpara”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se palët janë dakordësuar të vijojnë komunikimin për të shmangur zgjedhje të reja.

“Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional në Republikën e Kosovës dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme. Në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë komunikimin, si forma e vetme për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku shtoi se gjatë takimit u diskutua për parimet mbi të cilat mund të ndërtohet një bashkëpunim politik, duke theksuar se LDK kërkon institucione të qëndrueshme dhe një balancë demokratike mes forcave politike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme