Zgjedhjet në Kosovë – Përfundon numërimi i votave në përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje merr 83%
Më shumë se 83 për qind të votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës ka fituar Lëvizja vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në zgjedhjet e fundit parlamentare të 7 qershorit.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Vetëvendosje ka siguruar 18789 vota.
E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 1608 vota ose me (7.13% të votave, për t’u pasuar nga Lidhja demokratike e Kosovës me 1490 vota dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 464 vota.
Ndërsa është përmbyllur numërimi i fletëve të votimit në përfaqësitë diplomate, mbetet ende për të përfunduar numërimi i votave përmes postës dhe nga votimi me kusht.
Zëdhënësi i KQZ, Elezi ndërkohë bëri me dije se janë refuzuar 2244 fletë votimi të dorëzuara përmes postës.
“KQZ ka filluar me numërimin e votave nga votimi me postë dhe ky proces do të marrë kohë disa ditë.
Siç e kemi shpjeguar më herët, nga 23 kutitë postare të KQZ-së të hapura për këtë lloj votimi, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, pjesa më e madhe e të cilave, deri më tani, janë vlerësuar nga shërbimi votues i KQZ-së dhe janë të gatshme për t’u numëruar.
Deri në përfundim të ditës së premte (12 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë mbi 60 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar 59,973, ndërkaq janë refuzuar 2,244.
Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,066 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi.
Pas përfundimit të numërimit të votave të dorëzuara përmes postës, do të enjte radha e numërimit të votave nga votimi me kusht, dhe votave nga votimi I personave me nevoja të veçanta.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




