Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, koalicioni qeverisës kryeson në shumicën e komunave
Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga VMRO-DPMNE ka dalë në avantazh në 53 nga 81 komuna në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, me rreth 70% të votave të numëruara.
Blloku i drejtuar nga VMRO-DPMNE kryeson në shumicën e zonave, ndërsa VLEN udhëheq në nëntë komuna. Ndërkohë, koalicioni LSDM ka fituar në 8 komuna, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka dalë e para në pesë komuna, dhe Partia Demokratike Turke (TDP) ka fituar në një komunë.
Në komunën e Çairit, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, shpalli fitoren ndaj ish-ministrit Bujar Osmani.
Në Shkup, me më shumë se gjysmën e votave të numëruara, VMRO-DPMNE kryeson me 41.23%.
Ndërkohë, në komunën e Qendër Zhupës, zgjedhjet janë anuluar për shkak të pjesëmarrjes më të ulët se një e treta e votuesve të regjistruar.
Pjesëmarrja në të gjithë vendin ishte 46.65%. Komunat ku asnjë kandidat nuk ka marrë më shumë se 50% të votave do të shkojnë në balotazh më 2 nëntor.
Ky ishte raundi i tetë i zgjedhjeve lokale që nga viti 1996. Në garë morën pjesë 10,490 kandidatë, përfshirë 309 për kryetar bashkie, ndërsa procesin e monitoruan 1,451 vëzhgues – 644 të huaj dhe 807 vendas, përfshirë përfaqësues nga Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




