Zjarret në Greqi vazhdojnë të shkrumbojnë banesa e pyje prej 15 ditësh

Zjarret në verilindje të Greqisë, në Evros, vazhdojnë prej 15 ditësh pavarësisht përpjekjeve të qindra zjarrfikësve.
Të premten në terren zbritën 129 makina zjarrfikëse me një ekuipazh prej 586 anëtarësh, 16 ekipe zjarrfikësish në këmbë të mbështetur nga 6 avionë zjarrfikës dhe dy helikopterë.
Në ndihmë të tyre janë edhe forcat shtesë nga vendet e Bashkimit Europian dhe Shqipëria, si dhe forcat e armatosura, policia dhe zjarrfikës vullnetarë.
Zjarri që filloi afër qytetit portual të Aleksandrupolit më 19 gusht është bashkuar me vatra më të vogla zjarri, duke formuar një ishull nxehtësie që ka shkrumbuar shtëpitë dhe toka të tëra deri afër kufirit me Turqinë.
Në këtë zonë u gjetën javë më parë edhe kufomat e 18 emigrantëve të bllokuar në pyllin Dadia.
25 emigrantë të tjerë u shpëtuan të Premten nga zjarrfikësit në po të njëjtin pyll.
Emigrantët ilegalë, tashmë të arrestuar, raportohet se ishin të gjithë meshkuj të ardhur nga vende si Siria, Iraku dhe Libani, sipas policisë greke.
Gjatë fjalës së tij në Parlament ditën e enjte, kryeministri Kirjakos Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis) la të kuptohet se refugjatët mund të kenë qenë përgjegjës për zjarrin e Evrosit, edhe pse shkaqet e ngjarjes janë ende në hetim.
“Është pothuajse e sigurt se shkaktar është njeriu dhe është gjithashtu pothuajse e sigurt se ky zjarr filloi në rrugë, të cilat shpesh përdoren nga emigrantë të paligjshëm në vendin tonë,” tha Micotaqis.
Greqia do të përdorë drone dhe sensorë të temperaturës në pyje për të monitoruar e zbuluar zjarret në fazat e tyre të hershme.
Qeveria greke ka planifikuar të rrisë edhe fuqinë punëtore dhe të shkencëtarëve të specializuar në degët pyjore, së bashku me një mijë zjarrfikës.
Që nga muaji korrik, në Greqi janë raportuar zjarre të shumta të përhapura në të gjithë vendin, edhe në destinacionet e njohura turistike, si Korfuzi dhe Rodosi. /GR
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




