Zjarret në vend, 29 persona nën hetim për zjarrvënie që nga muaji qershor

Aktualitet | 3 muaj më parë

Gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut 2026 janë arrestuar ose proceduar penalisht 29 shtetas, të dyshuar si autorë të zjarrvënieve në zona të ndryshme të vendit.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë identifikuar tre persona të dyshuar për zjarrvënie në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër. Dy prej tyre janë arrestuar në flagrancë, ndërsa ndaj një tjetri ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.

Në Kavajë, shërbimet e policisë arrestuan shtetasin S. Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Sterbeg, pasi zjarri i ndezur prej tij në një sipërfaqe toke në pronësi të tij shkaktoi dëmtime në kullota, si dhe dogji rreth 300 pemë frutore, agrume dhe ullinj.

Në Vorë, u arrestua shtetasi A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Gjokaj, i dyshuar se kishte ndezur zjarr në një sipërfaqe toke në pronësi të një personi tjetër, duke shkaktuar djegien e një zone të mbjellë me dru frutorë.

Ndërkohë, në Mallakastër, policia ka referuar materialet në Prokurori për shtetasin O. B., 39 vjeç, banues në fshatin Levan. Sipas hetimeve paraprake, gjatë tërheqjes së një automjeti të aksidentuar dhe janë krijuar shkëndija elektrike që kanë përhapur zjarrin dhe kanë dëmtuar dhjetëra pemë arre në fshatin Romës.

Materialet procedurale janë referuar në prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit u ka bërë apel qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të kullotave që të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, duke paralajmëruar se djegia e mbeturinave në toka bujqësore apo kullota është një praktikë e rrezikshme dhe e dënueshme me ligj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme