Zjarret përfshijnë jugun e vendit, urdhër për evakuim urgjent në Poliçan. Rrezikohen banesat në Delvinë, digjet kisha në fshatin Lekël

Vendi po përballet me një situatë të rëndë emergjente për shkak të përhapjes së zjarreve në disa zona jugore, të cilat kanë dalë jashtë kontrollit. Ministria e Mbrojtjes ka dhënë urdhër për evakuim urgjent të banorëve në disa fshatra të Bashkisë Poliçan, pas përkeqësimit të situatës në Njësinë Administrative Terpan.
Sipas njoftimit, zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duke rrezikuar djegien e banesave dhe përhapjen në zona të banuara dhe të mbrojtura. Urdhri i evakuimit përfshin fshatrat Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe zonat brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”. Banorëve u kërkohet të largohen menjëherë nga banesat dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për një evakuim të sigurt.

Në të njëjtën kohë, zjarret janë përhapur me shpejtësi në jug të vendit, konkretisht në zonën e Delvinës, ku flakët janë afruar drejt fshatit Kardhikaq, në kufi me Dropullin. Si masë paraprake, Bashkia Dropull ka nisur përdorimin e dronëve për të krijuar një panoramë të qartë të situatës dhe për të monitoruar përhapjen e zjarrit.
Vatra zjarri është regjistruar edhe në fshatin Koshtan, Njësia Administrative Qesarat, Bashkia Memaliaj. Ndërkohë, vijon përpjekja për shuarjen e zjarrit në fshatin Lekël, Njësia Administrative Qendër Tepelenë, ku banorët kanë dalë në ndihmë të forcave zjarrfikëse në mungesë të burimeve të mjaftueshme.

Në fshatin Lekël është djegur edhe Kisha Ortodokse Shën Ilia, e cila është monument kulture i kategorisë së dytë, ndërtuar në vitet 1800.
Flakët po i afrohen majës së Golikut, me rrezik që të përhapen drejt zonës së Malëshovës në Bashkinë Këlcyrë.

Situata paraqitet tepër kritike edhe në fshatrat e Gramshit, ku Ministria e Mbrojtjes ka dhënë urdhër urgjent evakuimi edhe për fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollarë, Bulçar, Ërmenj, Harunas dhe Zenelas.
Gjithashtu në këtë zonë është shënuar edhe viktima e parë nga zjarret, ku një 80-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e asfiksisë.
Ministria e Mbrojtjes, në bashkëpunim me strukturat e emergjencës civile, forcat zjarrfikëse dhe njësitë vendore, ka mobilizuar të gjitha burimet në terren. Megjithatë, për shkak të terrenit të vështirë dhe temperaturave të larta, ndërhyrja është tepër sfiduese.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





