12 milionë turistë në 2024, Ministria e Turizmit vizion 4-vjeçar për zhvillimin e sektorit
Në panairin “Klik Ekspo Group” u zhvillua paneli me temë “Turizmi sot dhe nesër”, ku u theksua se gjatë vitit 2024 Shqipëria ka pritur mbi 12 milionë turistë, trefish më shumë se disa vite më parë.
Në fjalën e saj, zv.ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, u ndal te lidhja e turizmit me kulturën, sportin dhe trashëgiminë, duke theksuar se “autenticiteti është marka jonë kombëtare”.
“Vetëm vitin e kaluar kanë ardhur 12 milionë turistë, një shifër e konsiderueshëm kur një dekadë përpara ka qenë 3.8 milionë turistë. Ajo që duhet të servirim është autenticiteti ynë”, tha Pipa.
Sofjola Kotelli deklaroi se Ministria e turizmit ka një vizion 4-vjeçar për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit dhe për nxitjen e ofertave të reja. Ajo shtoi se Shqipëria ka shumë gjëra autentike, që duhet të promovohen më fort në tregjet ndërkombëtare.
“Aktualisht ne punojmë në tre shtylla kryesore. Një nga shtyllat është zhvillimi i produkteve outdoor ose turizmi aktiv dhe jam e lumtur që do kemi një kombinim të turizmit me sportin”, u shpreh Kotelli
Ndërsa, Majlind Lazimi foli për nevojën e sistemeve rregullatore dhe ligjore për sektorin, duke vënë në dukje rolin e akomodimit cilësor.
Sipas tij, me hyrjen e operatorëve të rëndësishëm ndërkombëtarë, turizmi shqiptar po ecën me hapa të shpejtë drejt konsolidimit.
“Një nga faktorët kryesor pse kemi këtë fluks të madh turistësh është se janë futur dy operatorë të mëdhenj low cost, Wizz Air dhe Ryanair. Problemi që kjo nuk është e qëndrueshme është se të kesh 78% të pasagjerëve përmes low cost krijon këtë varësinë e një turisti, i cili deri diku mendon që për pak lekë mund të shijojë shumëçka”, tha Lazimi.
“Të arrijmë në këtë pikë që ta çojmë në 12 muaj turizmin, jemi duke zhvilluar pjesën e lumit të Vlorës në këtë moment dhe kemi plan 2-vjeçar për ndriçimin e të gjitha fshatrave në Bashkinë Himarë”, tha Pervin Gjikuria, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Himarë.
Përfaqësues të organizatës GIZ, që prej 30 vitesh punon për zhvillimin e turizmit me komunitetin, theksuan rëndësinë e agroturizmit si hallkë që i rikthen turistët disa herë në vendin tonë.
Gazetare: B. Cuku
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





