4 milionë vizitorë në zonat e mbrojtura, Kumbaro: Tregues kuptimplotë i rritjes së turizmit të përgjegjshëm dhe të natyrës

Zonat e mbrojtura në Shqipëri po rezultojnë gjithnjë e më shumë një destinacion i preferuar për dashamirësit e natyrës dhe aventurës. Shifrat e publikuara së fundmi tregojnë një rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve, duke konfirmuar trendin pozitiv të turizmit të natyrës.
Ministrja në detyrë e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, njoftoi se gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, zonat e mbrojtura kanë mirëpritur rreth 4 milionë vizitorë. Kjo shifër paraqet një shtim prej 200 mijë vizitorësh më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Kjo nuk është thjesht një shifër, por një tregues kuptimplotë i rritjes së turizmit të përgjegjshëm dhe të natyrës,” theksoi Kumbaro. Ajo shtoi se Shqipëria po punon për përfshirjen në Listën e Gjelbër të IUCN me 5 Parqe Kombëtare, duke afirmuar kështu angazhimin e vendit në rrjetin ndërkombëtar të zonave të mbrojtura.
Bukuri natyrore dhe diversitet atraktiv
Zonat e mbrojtura tërheqin vizitorë falë bukurive të tyre të rralla dhe relievit të larmishëm. Ato ofrojnë mundësi për një gamë të gjerë aktivitetesh, duke filluar nga shijimi i natyrës për ata që kërkojnë relaksim, deri tek aventurierët që eksplorojnë shtigjet malore nëpërmjet hiking-ut.
Përveç aktiviteteve tradicionale, vitet e fundit ka pasur një interes në rritje për turizmin e vëzhgimit të shpendëve, veçanërisht të atyre ujore. Zona të tilla si Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, Laguna e Nartës, Laguna e Kune-Vainit, Liqeni i Shkodrës dhe Liqeni i Pogradecit, janë kthyer në pika tërheqëse për këtë formë turizmi.
Synimi kryesor i zgjerimit të zonave të mbrojtura në Shqipëri është rritja e integritetit dhe ruajtja e gjendjes së tyre të paprekur. Këto zona dallohen për biodiversitetin e lartë dhe habitatet e rralla që strehojnë, duke i bërë ato thelbësore për ruajtjen e natyrës. Ky angazhim vë në pah përkushtimin e Shqipërisë për të kontribuar në mbrojtjen globale të mjedisit.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




