Dosja “Revanshi”, GJKKO dënon me 10 vite burg Avdylin dhe Shullazin. Jepen dënimet edhe për 10 anëtarët e tjerë të grupit

Gjykata e Posaçme ka dhënë vendimin për 12 të pandehurit në kuadër të dosjes “Revanshi”, mes tyre emra të njohur të botës së krimit si Astrit Avdyli dhe Emiljano Shullazi. Avdyli dhe Shullazi janë dënuar përfundimisht me nga 10 vite burg, ndërsa dënimet për të pandehurit e tjerë variojnë nga 3 vite e 4 muaj deri në 8 vite burg. Një prej tyre, Miri Bruli, është urdhëruar të lirohet menjëherë, pasi kishte qëndruar në paraburgim më gjatë se masa e dënimit të caktuar.
Vendimi është dhënë më 27 nëntor 2026 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flora Hajredinaj dhe Bib Ndreca.
Procesi gjyqësor u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme.
Sipas vendimit, Astrit Avdyli, i njohur edhe me emrat Astrit Balliu dhe Astrit Sulejmani, është dënuar përfundimisht me 10 vite burg. Ai u shpall fajtor për disa vepra penale, mes të cilave sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve në dëm të shtetasve me inicialet D.B. dhe V.B., pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal, armëmbajtja pa leje, ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve dhe vepra të tjera penale.
Edhe Emiljano Shullazi është dënuar me 10 vite burg. Ai u shpall fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, pjesëmarrjen dhe drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal, goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen detyrë shtetërore, si dhe futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Të dy të dënuarit do ta vuajnë dënimin në burg të sigurisë së lartë. Gjykata ka caktuar gjithashtu ndaj tyre periudhë sigurie sa kohëzgjatja e plotë e dënimit, gjatë së cilës nuk mund të përfitojnë nga lirimi me kusht.
Dënimet për 10 të pandehurit e tjerë
Në bazë të vendimit të GJKKO-së, dënimet përfundimtare për pjesën tjetër të të pandehurve janë:
Naim Stafuka: 5 vite burg.
Blerim Abazi, alias Blerim Gashi: 6 vite burg.
Besian Xhixha: 6 vite e 8 muaj burg.
Enver Diva: 6 vite e 8 muaj burg.
Robert Laçi: 6 vite burg.
Gjergji Cukali: 8 vite burg.
Viktor Imeraj, alias Viktor Bajraktari: 6 vite e 8 muaj burg.
Satilno Basho: 6 vite burg.
Xhelal Rraja: 4 vite burg.
Miri Bruli: 3 vite e 4 muaj burg.
Për shumicën e të pandehurve, gjykata ka dhënë dënime për veprën penale të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrjen në këtë grup.
Në rastin e Gjergji Cukalit, vendimi lidhet me sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve në dëm të dy personave me inicialet E.G., A.G..
Ndërsa për Xhelal Rrajën, gjykata ka dhënë dënim për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e një vrasjeje në dëm të shtetasit me inicialet A.N., si dhe për pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Miri Bruli është dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, por gjykata ka urdhëruar shuarjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” dhe lirimin e tij të menjëhershëm, pasi koha e kaluar në paraburgim ishte më e madhe se dënimi i caktuar.
Në vendimin e saj, GJKKO ka urdhëruar gjithashtu konfiskimin e një pistolete Glock 17, 34 fishekëve dhe dy krëhërave të sekuestruar gjatë kontrollit të banesës së Astrit Avdylit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




