7 Marsi, Kumbaro uron mësuesit: Profesioni juaj është një mision që zgjat gjithë jetën
Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ka përcjellë një mesazh urimi dhe mirënjohjeje për të gjithë mësuesit në vend, duke theksuar rëndësinë e rolit të tyre në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Në mesazhin e saj, Kumbaro thekson se arsimtari nuk është vetëm profesion, por një mision që shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës.
“Këtë vit, detyra ma kërkon t’ju drejtohem si ministre, por zemra më shtyn t’ju flas si një prej jush. Sepse arsimi është një profesion që vërtet ushtrohet deri në një farë moshe, por realisht mbetet një mision që të shoqëron gjatë gjithë jetës dhe modeli i secilit përcillet ndër breza”, tha Kumbaro.
Ajo shprehet se këtë 7 Mars mësuesit e gjejnë veten më të vlerësuar, duke përmendur rritjen e pagave që ka hyrë në fuqi që nga muaji janar, si dhe zgjidhjen e disa çështjeve ligjore për mësuesit e diplomuar para vitit 2017. Sipas saj, po bëhen gjithashtu përpjekje për përmirësimin e mjediseve ku zhvillohet procesi mësimor dhe për shtimin e personelit mbështetës në shkolla.
“Më vjen mirë që ky 7 Mars, ju gjen më të vlerësuar, me paga të rritura, falë një tjetër rritjeje që ka nisur që nga janari; me disa nga ngërçet ligjore të zgjidhura për mësuesit e diplomuar para vitit 2017, me përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar mjediset ku zhvillohet procesi mësimor, me personel mbështetës që lehtëson punën tuaj. Por, mbi të gjitha, ju gjejmë me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtën përgjegjësi të madhe që mbart profesioni i mësuesit.
Një përgjegjësi që zyrtarisht mund të mbyllet në orën 2 apo 3 të pasdites, por që në të vërtetë vazhdon moralisht gjatë gjithë ditës – 24 orë në 24”, tha Kumbaro.
Kumbaro ndalet edhe te sfidat e kohës moderne, duke theksuar se në një epokë ku teknologjia shpesh konkurron vëmendjen e nxënësve, roli i mësuesit bëhet edhe më i rëndësishëm për të orientuar brezat drejt dijes, mendimit kritik dhe vlerave shoqërore.
“Ne e dimë se në një kohë ku teknologjia shpesh konkurron vëmendjen dhe durimin e nxënësve, nuk është e lehtë të jesh mësues, por roli juaj bëhet edhe më i rëndësishëm: të orientoni brezat e rinj drejt dijes, mendimit kritik dhe vlerave që ndërtojnë një shoqëri më të mirë. Në këtë ditë të rëndësishme për arsimin shqiptar, dua t’ju shpreh mirënjohjen më të sinqertë për punën tuaj të palodhur, për durimin, për dashurinë dhe për besimin që i jepni çdo ditë brezit të ri.
Një falënderim të veçantë e kam për mësuesit e rinj, për ata që kanë lindur pas viteve ’90 dhe që, në një botë plot mundësi e zgjedhje të tjera profesionale, kanë vendosur të zgjedhin pikërisht mësuesinë.
T’ju kemi ju në shkolla është një shenjë shprese për arsimin shqiptar, sepse sillni energji të reja, ide të reja dhe një mënyrë të re komunikimi me brezin e nxënësve që po rritet sot”, tha ministrja.
Në përfundim të mesazhit të saj, ministrja uron të gjithë mësuesit “Gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit! Faleminderit për gjithçka që bëni për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e Shqipërisë.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





