Buxheti 2027 për diplomacinë arrin në 40 milionë euro, ministri Hoxha: Investim strategjik për anëtarësimin në BE

Politikë | 12 minuta më parë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar pas miratimit të buxhetit në Kuvendin e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një mbështetje konkrete për shtresat në nevojë dhe sektorët kyç të vendit. Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ai theksoi se ky dokument financiar “nuk është thjesht një tabelë shifrash”, por “një investim në Shqipërinë që duam të ndërtojmë”, me fokus tek pensionistët, fëmijët, përfshirë ata me aftësi të kufizuara, familjet, studentët, si dhe te përparësitë themelore si rendi, siguria, shëndetësia, arsimi dhe politika e jashtme.

Duke u ndalur te dikasteri që drejton, ministri Hoxha bëri me dije se buxheti i politikës së jashtme për vitin 2027 arrin në rreth 40 milionë euro. Sipas tij, një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve i shërben drejtpërdrejt ose tërthorazi objektivit madhor të integrimit evropian. Ai vlerësoi se në këtë moment vendimtar të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian, vendi ka nevojë për një diplomaci më të fortë, profesionale dhe të lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik.

“Na duhet një diplomaci që nuk mjaftohet vetëm me përfaqësimin e Shqipërisë, por punon çdo ditë për të mbrojtur dhe çuar përpara interesat e saj”, u shpreh Hoxha.

Sipas kreut të diplomacisë shqiptare, rritja e mbështetjes financiare për vitin 2027 përkthehet në kapacitete më të larta për të përballuar sfidat e anëtarësimit në BE, një shërbim diplomatik konkurrues, si dhe shërbime konsullore më cilësore dhe më pranë qytetarëve shqiptarë jashtë vendit.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe diplomacisë ekonomike, për të cilën Hoxha nënvizoi se nuk duhet parë “si një slogan i bukur, por si një realitet i prekshëm që nxit e sjell investime, që promovon eksportet shqiptare dhe hap mundësi të reja për ekonominë dhe për biznesin”.

Në përmbyllje të mesazhit të tij, ministri Hoxha e cilësoi financimin e politikës së jashtme si një hap të domosdoshëm për pozicionimin ndërkombëtar të vendit.

“Diplomacia nuk është shpenzim, por investim strategjik në sigurinë, zhvillimin, ndikimin dhe të ardhmen tonë evropiane”, deklaroi ai, duke shtuar se buxheti i ri krijon instrumente për “më shumë Shqipëri në Evropë dhe më shumë mundësi për Shqipërinë në mbarë botën”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme